Kapiteni i Venezuelës, Tomas Rinkon ka shpërthyer në kritika ndaj sponsorit të veshjeve “Givova”, duke bërë publike në rrjetet sociale të gjitha pakënaqësitë në lidhje me ketë markë.

Mesfushori i Torinos pretendon se kushtet janë të mjerueshme, teksa kombëtarja venezueliane ka në dispozicion për t’u stërvitur vetëm një fanellë dhe një palë të shkurtra.  Ish-futbollisti i Juventusit kërkon respekt maksimal për fanellën e kombëtares.

Kujtojmë që ditën e djeshme, Venezuela u përball në një takim miqësor me Katalunjën e Xherard Pike, ku u mposht me rezultatin 2-1.

POSTIMI I KAPITENIT RINKON:

Zotërinj të Givova, unë shpreh publikisht pakënaqësinë time për markën tuaj në këto ndeshjet e fundit të FIFA-s që sapo përfunduan. Së pari, në stërvitje në këto ditë me mot të ftohtë na keni dhënë vetëm një fanellë dhe një palë të shkurtra, për të ardhur keq.Së dyti, a kemi fanella për të luajtur sot? Mendoni se blerja dhe shtypja e disa fanellave rregullon gjithçka? Kërkoj respekt maksimal për fanellën e kombëtares sonë dhe secilit anëtar të ekipit. T’iu vijë turp!