8 Shkurt 2014 – Fundjava përgjak rrugët. Pas aksidentit të Kukësit, mëngjesin e sotëm, ku 6 persona humbën jetën, një tjetër aksident i rëndë është regjistruar në Sarandë gjatë orëve të pasdites.Pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, në vendin e quajtur ura e Bogazit në Sarandë. Sipas informacioneve të para, një prej viktimave është ish-valltari i njohur i Konispolit, Taip Madani.Në vendngjarje ndodhet policia, e cila po kryen hetimet rreth shkaqeve të ngjarjes tragjike.

 

* * *

Aksident i rëndë në Kukës, furgoni bie në humnerë, 6 viktima

Një aksident i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në aksin Kukës-Shishtavec. Mësohet se një furgon i linjës ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë. Për pajojë, kanë gjetur vdekjen gjashtë persona, ndërsa janë plagosur rëndë katër të tjerë. Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe dy helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë bërë transportimin e të plagosurve drejt Spitalit Ushtarak, në Tiranë.

Nuk dihen shkaqet e ngjarjes së rëndë, por paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ardhur për shkak të shpejtësisë dhe pakujdesisë së drejtuesit të mjetit.

Viktimat janë Feim Biba, Zykri Shehu, Zamir Karanxha, Bashkim Çuni, Linda Çuni dhe Meleqe Serani.

Një prej viktimave, Linda Çuni, ishte shtatzënë. Mes viktimave është edhe drejtuesi i furgonit.

Të plagosur në spitalin ushtarak janë Xhevahir Çuni, Petrit Mustafa, Rusem Biba dhe Zyhrie Kovaçi.

Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë. Gjithashtu, në furgonin e aksidentuar mësohet se kanë qenë edhe një vajzë 3 vjeçare D.Kovaçi, si dhe shtetasi Hali Serani, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar pa dëmtime trupore dhe janë ndihmuar nga banorët të kthehen në shtëpi.