Kërkues shkencorë e akademikë nga e gjithë Europa po vijnë këto ditë në universitetin e Durrësit.
Takimet janë organizuar në kuadër të mbledhjes gjenerale të rrjetit “COST CA 21143”, një aktivitet që vjen për herë të parë në Shqipëri.
Por çfarë është ky rrjet dhe si erdhi tek ne?
“Ky rrjet nënkupton bashkimin europian të të gjithë kërkuesve shkencorë në shkencë e teknologji. Është një event i parë i kësaj tipologjie dhe jemi të gëzuar që arritëm ta realizonim. Unë jam anëtare e bordit të rrjetit dhe ftova kolegët e mi të zhvillonim mbledhjen e parë gjenerale pranë UAMD, ftesë të cilën ata e pranuan“, tregon për “DurrësLajm” drejtuesja e Departamentit të Psikologjisë pranë Fakultetit të Edukimit, njëherësh anëtare e bordit drejtues të “COST CA 21143”, profesoreshë Blerina Xhakolli Reçi.
I shtrirë në tre ditë, ky aktivitet ka në fokus dinamikat e familjeve ndërkombëtare.
Detajet i dha profesori gjerman Sven Iversen dhe profesoreshë Reçi.
“Janë familje që duhet të jetojnë edhe pse mes vendeve ekzistojnë kufij dhe kanë shumë sfida për të përballuar“, tregojnë ata ndër të tjera.
Ndonëse të ngjeshura me takime e biseda, këto ditë do të jenë gjithashtu një mundësi e mirë, që profesorët e huaj të vizitojnë Durrësin, në të cilin shkelin për herë të parë.
Edhe ata, si çdo turist a vizitor i qytetit tonë bregdetar, kanë kryefjalë ditët plot diell e amfiteatrin.
Përshtypjet e tyre të para i ndiqni në videon bashkangjitur.
K.Gj.





