Një tjetër vrasje është shënuar gjatë kësaj të shtune. Atentati i radhës ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:25 minuta në vendin e quajtur “Mabe”, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Lancia”, me targa AA 479 KJ, me të cilin po udhëtonte shtetasi  Dritan Lorenci, ish-punonjës i policisë rrugore, i cili ka mbetur i vdekur në vend.

Forca të shumta të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi.

Ndërkohë, paraditen e kësaj të shtune një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Drisht, të ish-komunës Postribë, në Shkodër, ku dy vëllezërit Abdulla dhe Skënder Shkami, 50 dhe 40 vjeç, u ekzekutuan nga shtetasi Aleksandër (Esat) Dushaj. Forcat RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, të mbështetura me helikopter nga ajri, janë duke zhvilliuar një operacion për kapjen e tij.