Pak ditë pas zjarreve katastrofike që shkaktuan vdekjen e të paktën 85 personave në verilindje të Athinës, tashmë është veriu i kryeqytetit grek që po përballet me përmbytje të mëdha.
Pas shirave të rrëmbyeshëm, lagjet Maroussi dhe Halandri në rrethina të Athinës u përmbytën të enjten.
Departamenti i zjarrfikësve tha se kishte marrë më shumë se 140 telefonata për ndihmë, shumica e të cilëve vinin nga shoferë, makinat e të cilëve po bllokoheshin nga uji.
Autoritetet greke u kanë kërkuar shoferëve të qëndrojnë larg zonave të përmbytura dhe të përdorin rrugët dytësore për të shkuar në veri të Athinës. Gazeta greke “Kathimerini” ka publikuar edhe pamje të lagjeve dhe makinave të përmbytura, si dhe të pasojave pas largimit të ujit.