Marselo është lojtari i radhës i Real Madridit që do hetohet për mospagim taksash. Yllit brazilian i janë bllokuar llogaritë, nga të njëjtët prokurorë që po hetojnë edhe Kristiano Ronaldon.
Sipas gazetës “El Mundo”, Agjensia Spanjolle e Taksave AEAT ka përpiluar dosjen dhe është radha e prokurorëve të vendosin nëse Marselo do përballet me ligjin apo jo. Ylli Brazilian ka deklaruar në 2013-n 350,000 paund të drejta imazhi, të kaluara nëpërmjet një skeme, duke paguar më pak taksa se sa i takojnë.
AEAT deklaron se Marselo, nëpërmjet kësaj skeme, ka kryer evazion fiskal, dhe duhet të paguante më shumë taksa. 29-vjeçari ka mohuar gjithçka dhe thotë që është në rregull me ligjin, por gjithsesi është bërë sportisti i radhës në Spanjë që po hetohet për këtë çështje. Edhe Kristiano Ronaldo është në hetim për evazion fiskal për një vlerë prej 13 milionë paundësh dhe gjykimi po vazhdon.





