Policia Kufitare në Qafë Thanë ka sekuestruar një sasi prej 273 kg kanabis të fshehur në paleta druri, të cilat po transportoheshin me kamion nga një shtetas maqedonas.

Sipas njoftimit të policisë, mjeti i tipit “Volvo” me targa të Ohrit, që drejtohej nga shtetasi Nikola Damçeski, 40-vjeçar nga Maqedonia, transportonte paletat në rimorkion e trailerit.

Mjeti iu nënshtrua kontrollit me skaner në vijën e dytë, pas dyshimeve se transportonte drogë. Nga kontrolli i detajuar, në pjesën e brendshme të çdo palete u konstatuan vende të përshtatura, në të cilat ishin fshehur kuti plastike të mbushura me kanabis.

Ky mjet është transportuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, ku po vijohet puna për nxjerrjen e çdo kutie me drogë dhe peshimin e saktë të kësaj sasie, si edhe thellimin e hetimeve lidhur me këtë linjë të trafikut ndërkombëtar.