Pas zgjedhjes së Kryeprokurores së re të përkohshme, Arta Marku, Prokuroria e Përgjithshme është përfshirë nga ndryshimet dhe lëvizje të shumta.

Një tjetër largim është njoftuar ditën e sotme. Bëhet fjalë për këshilltarin për media pranë Prokurorisë, Albi Serani. Ky i fundit ka njoftuar largimin e tij përmes një deklarate shpërndarë për media, ndërsa nuk jep arsyet e këtij vendimi.

"Të nderuar kolegë! Gjatë 5 viteve të fundit kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj me Ju. Për mua personalisht, kjo periudhë ka qenë shumë intensive dhe më ka ndihmuar shumë në aspektin profesional.

Unë ndihem shumë i nderuar për raportet e krijuara me gjithësecilin prej Jush dhe shpresoj që rrugët tona të bashkohen sërish, gjithnjë për të ruajtur miqësinë dhe komunikimin korrekt që kemi zhvilluar deri më tani. Duke Ju uruar të gjithë Vit të Ri të mbarë dhe sa më shumë fat, Ju njoftoj që, duke filluar nga dita e sotme, unë nuk do të jem më pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme. Ju faleminderit për gjithçka!", shkruan Serani.