Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut dhe për pasojë është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit. Lajmi është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejt ta zbardhin ngjarjen”, ka thënë Elshani për KP-në. Mësohet se uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar. Në dy ditët e fundit, në veri pati disa incidente të tjera. Në Zveçan u hodhën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës. Për këtë, policia të premten njoftoi se ka rritur masat e sigurisë në të gjithë vend. Dy ditë më parë u shënuan shpërthime të tjera në komunën e Zveçanit.