Rusia është goditur përsëri nga dopingu, kësaj radhe WADA (Agjensia Botërore Anti-Doping) ka zbuluar prova që notarët e këtij shteti kanë përdorur doping në mënyrë sistematike nën dirigjimin e mjekut Sergei Portugalov. Ndërkohe që Moska i përgënjeshtroi menjëherë deklaratat e WADA-s, një hetim pritet të nisë pasi janë zbuluar edhe disa raste kur notare ruse (femra dhe meshkuj) kanë rezultuar me doping por testet e antidopingut janë fshehur.
Federata Botërore e Notit (FINA) është gati të përjashtojë Rusinë nga radhët e saj, që do të thotë se edhe në lojërat Olimpike do të mungojë noti rus, nëse pas hetimeve rezulton se akuzat janë të vërteta. Ky pritet të jetë skandal vërtet i madh për arsye se është kryer në mënyrë sistematike dhe me menaxhim nga vetë doktorët rusë pranë Federatës së Notit në Rusi ndërsa në aspektin individual, në 10 vitet e fundit kanë rezultuar rreth 40 raste të moskalimit të testit të dopingut nga notarë rusë.