Sportistët nga Durrësi kanë arritur një tjetër sukses ndërkombëtar.

Këtë herë, Mario Matoshi ka marrë medaljen e bronztë në kategorinë “Junior” në aktivitetin “Albania OpenG1”, turne kualifikues për grumbullim pikësh për Lojrat Olimpike Paris 2024.

15-vjeçari, pjesë e ekipit “Dyrrah” me trajner Xhersi Kurtin, fitoi në përballjen me rivalin nga Rumania, njëherazi nënkampion Ballkani në disiplinën e Taekwondo.

Pas kësaj fitoreje të madhe, në çerekfinale ai u mund nga një bashkëmoshatar nga Izraeli, duke e përmbyllur në vend të tretë përfaqësimin në këtë aktivitet sportiv ndërkombëtar.

Në këtë të fundit, pjesë e ekipit “Dyrrah” ishin dhe Denado Mrruku dhe Omar Lila, të cilët garuan në kategorinë të rritur, por pa mundur të futen në zonën e medaljeve.

Në këtë aktivitet, të organizuar nga Federata Shqiptare e Taekwondo-së, ishin pjesëmarrëse 40 shtete, nga vende të largëta si India, Japonia etj., dhe mbi 500 sportistë.