FRANCE– Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të hetohet sërish, këtë herë nën akuzën e nxjerrjes së sekreteve në lidhje me një çështje korrupsioni, e njohur ndryshe si “çështja Karaçi”.
Lajmin e bën të ditur agjencia franceze “AFP”. Në vitin 2011, zyra e ish-kreut të shtetit pati deklaruar se emri i tij nuk përmendej në asnjë prej çështjeve që kishin të bënin me dokumentet sekrete të çështjes në fjalë.
Sekretet lidhen me hetimin mbi vdekjen e 11 inxhinierëve francezë në një shpërthim në Pakistan në vitin 2002, që mund të ketë pasur lidhje me ryshfetet e zyrtarëve francezë.
Kjo është një tjetër hije skandali që bie mbi figurën e ish-presidentit francez. Një javë më parë, gazeta britanike “The Independent” shkruante për prova të qarta dhe të pakundërshtueshme që tregonin se Sarkozy ka marrë rreth 50 milionë euro nga ish-diktatori libian, Muamar Gaddafi.