Prokuroria Vlorë sekuestron pasuri me vlerë 8 mln euro në Himarë, Dhërmi dhe Gjilekë, 24 masa sigurimi për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka rregjistruar kryesisht, procedimin penal nr.414/2021 për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë, të parashikuara nga nenet 248 e 190/2/3 të Kodit Penal.

Gjatë veprimeve hetimore të kryera në funksion të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka marrë të dhëna se prej punonjësve të Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë vitit 2020 e në vijim janë nxjerrë nga arkivat e kadastrës së Këshillit të Qarkut Vlorë dokumenta origjinale si Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim, Formularë nr.6 etj, dokumente të cila janë riprodhuar duke hequr origjinalet e ndara sipas ligjit.7501 “Për ndarjen e tokave bujqësore” duke i zëvendësuar ato me dokumente të riprodhuara dhe të falsifikuara, duke shtuar në to sipërfaqe fiktive të tokës në bregdet.

Dokumentat e falsifikuara janë rifutur në arkivën e D.A.M.T-së pranë Këshillit të Qarkut Vlorë si dokumente origjinale dhe nga ana e personave të interesuar është kërkuar kopje e njehsuar e tyre në rrugë zyrtare me kërkesë në Kadastrën e Qarkut Vlorë. Në vijim kopja e njehsuar e këtyre dokumentave pronësorë me shkresë përcjellëse u dërgohej personave të interesuar, Bashkisë Himarë ose Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, me qëllim për t`u përdorur më pas për dhënien e akteve të reja të pronësisë dhe hipotekimin e tyre pranë A.SH.K.Vlorë.

Gjatë hetimeve të kryera deri në këtë fazë të hetimit, mbi bazën e akteve të administruara si dhe akteve të ekspertimit tekniko-grafik të kryera nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, ka rezultuar e provuar se dokumentacioni i disa prej praktikave të sekuestruara që bëjnë fjalë për pasuri të regjistruara në zonën e Himarës dhe të Dhërmiut, ka rezultuar i falsifikuar.

Për sa më sipër, nga aktet e administruara deri më tani, bazuar në aktet shkresore të administruara, kqyrjet e dokumentacionit të përdorur për fitimin dhe më tej regjistrimin e pasurive të mësipërme; si dhe konkluzionet shkencore të akteve të ekspertimit tekniko-grafik të realizuar mbi dokumentat objekt ekspertimi, krijohet dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se në rastin konkret ndodhemi përpara elementëve të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”; parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal “Falsifikimi i dokumentave”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi i 2 i Kodit Penal; si dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190, paragrafi i 2 i Kodit Penal.

Nga ana objektive, është konstatuar gjatë hetimeve të deritanishme se veprat penale të mësipërme janë kryer si më poshtë:

Nëpërmjet ndërhyrjeve mekanike (Korrigjime; shtesa, fshirje; etj) të dukshme në formularë nr.6 dhe A.M.T.P;
Nëpërmjet Falsifikimit të nënshkrimeve të përfaqësuesve të Komisionit të Ndarjes së Tokës në Fshat si dhe Përfaqësuesit të Rrethit të asaj kohe;
Nëpërmjet falsifikimit të vulave të institucioneve të ndodhura në dokumentat A.M.T.P dhe Formularë nr.6;
Nëpërmjet ndërhyrjeve mekanike (Korrigjime; shtesa; fshirje; etj) të kryera në dokumentin bazë për verifikimin e titullit të pronësisë; ”Regjistri i Korespondencës/Libër i fermerëve , fshati Himarë”
Përdorimit të 2 ose 3 AMTP-ve dhe Formularëvë nr.6, të ndryshëm mes tyre për të njëjtën pasuri, në të njëjtat praktika; me qëllim regjistrimin e akteve që përmbanin sipërfaqe më të madhe toke (shtuar sipërfaqja nëpërmjet falsifikimit dhe ndërhyrjes në shifrat e dokumentave);
Ekzistencë e 2 ose më shumë A.M.T.P-ve të ndryshme për të njëjtën pronë, në të njëjtat praktika;
Mospërputhje e parcelave si dhe sipërfaqeve totale të përftuara, të pasqyruara në formularin 6 me ato të pasqyruara në A.M.T.P.; (për shkak të ndërhyrjes në këto dokumenta nëpërmjet falsifikimit të sipërfaqeve, ngastrave; vendodhjes së tyre dhe zërit kadastral)
Mospërputhje e parcelave të pasqyruara në formularin 6 si dhe sipërfaqen tërësore të Formularit 6 me sipërfaqen që pasqyrohet për shtetasin, tek Libri i Fermerëve; (për shkak të ndërhyrjes në këto dokumenta nëpërmjet falsifikimit të sipërfaqeve, ngastrave; vendodhjes së tyre dhe zërit kadastral);
Mospërputhje e parcelave të pasqyruara në A.M.T.P. formularin 6 si dhe sipërfaqen tërësore të A.M.T.P. me sipërfaqen që pasqyrohet për shtetasit tek Libri i Fermerëve; (për shkak të ndërhyrjes në librin e fermerit nëpërmjet falsifikimit të sipërfaqeve të pasqyruara në këtë dokument);

Mbi bazën e akteve të administruara deri më tani, nga ana e Prokurorise pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, janë paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kërkesat për caktimin e masës së sigurimit personal shtrënguese gjthsej 24 masa nga të cilat, “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për shtetasit:

V.M.; A.V.; S.DH.; J.Z.; I.GJ.; S.J.; D.K.; P.L.; A.D.;

Caktimin e masës së sigurimit personal shtrënguese “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për shtetasit: A.GJ.; I.R.; S.L.; DH.L.; N.L.; A.DH.; A.GJ.; J.M.;

Caktimin e masës së sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, për shtetasit: P.X; E.B; S.B; A.L; A.A; J.Z; M.R; GJ.A.

Me vendimin me nr.442 datë 19/10/2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka pranuar kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, sipas objektit të mësipërm.

Po kështu në funksion të këtij procedimi penal, është kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, lidhur me një numër të konsiderueshëm pasurish, të cilat janë regjistruar pranë ASHK Vlorë mbi bazën e përdorimit të dokumentave të falsifikuara në periudhën 2019-2022, pasuri të paluajtshmë më një sipërfaqe totale prej 59.889 m², të ndodhura në zonën e Himarës; Dhërmiut; Gjilekës, Qarku Vlorë.

Me vendimin me nr.444 datë 19/10/2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka pranuar kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, duke vendosur masën e sigurimit pasuror të sekuestros preventive për pasuritë e cituara në kërkesën e paraqitur nga Prokurorisë Vlorë.

Gjithashtu mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, Gjykata me vendimin me nr.443 datë 19/10/2021, ka vendosur të lejojë kontrollin e banesave të shtetasve nën hetim J.M; A.D; A.DH.

Vlera e pasurive të sekuestruara sipas përllogaritjeve bazuar mbi çmimet e tregut, kap shifrën prej 8.000.000 euro.

Lidhur me këtë procedim penal, hetimet vijojnë, për pasuritë e ndodhura në zonën e Dhërmiut; Gjilekës; Jalit dhe të Livadhit, per evidentimin e rasteve të tjera të përfituara në mënyrë të paligjshme, si dhe për veprimet e nëpunësve shtetërore, të cilët kanë kryer veprime lidhur me regjistrimin e këtyre pasurive.