Gjatë vizitës në Durrës, kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në ambientet e përbashkëta të banimit si dhe rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici”.
Gjatë bashkëbisedimit me banorë dhe qytetarë të zonës, kreu i qeverisë u njoh me përshtypjet dhe shqetësimet e tyre.
Një qytetare i uron kryeministrit më të mirat për familjen, teksa i përmend të birin dhe bashkëshortin dhe më tej ndalet në problematikën e parkingut në pallatin ku banon.
Pjesë nga bashkëbisedimi
Banorja: Të uroj shëndet! Të të rrojë Zaho, Linda dhe gjithë çfarë ke! Burrin e kam durrsak të vjetër. Kjo ka qenë toka e burrit tim. Dhe në mënyrë flagrante kanë ardhur këtu dhe kanë hequr një tra, që neve nuk duam të lejojmë njeri sepse na futen makinat dhe s’dalim dot. Që kur është ndërtuar pallati e kemi pasur në pronësi.
Rama: Keni marrë gjë në pallat ju apo jo?
Banorja: Ne kemi marrë një hyrje. Kemi garazh dhe dyqan.
Rama: Në momentin kur ndërtohet një pallat. Ka një ligj që thotë; kaq % e pronës është e ndërtueshme. Pjesa tjetër është e të gjithëve.
Banorja: Një minutë, ky oborr është i përbashkët i pallatit.
Rama: Jo s’ka minuta.
Banorja: Si t’ia bëjmë ne si t’i nxjerrim makinat?
Rama: S’ka më pronë private, pasi për shkak të saj ke marrë apartamentet dhe përqindjet që ke pasur për të marrë. Kjo që është këtu është e pallatit. S’ka trarë më këtu. Menaxhimi është çështje tjetër. Meqë më urove që të jem mirë, të jesh mirë dhe ti me burrin. Këtë pronë ta gëzoni bashkë me të tjerët.





