Asgjë nuk ka mbetur në banesën e varfër të Hyqmet Shaqjes, pas zjarrit që shpërtheu në orën 02 e 30 të mëngjesit të sotëm. 68-vjeçari është në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi banesa ku jetonte me të birin në Shijak të Durrësit u dogj tërësisht si pasojë e një qiriri, që familja Shaqja përdorte për ndriçim.

Familja Shaqja gjendej në errësirë të plotë për shkak se nuk paguanin dot faturat e energjisë elektrike.  

Fqinjët dhe familjarët thonë se i moshuari bashkë me të birin jetonin prej disa vitesh nën dritën e qiriut, pasi rezultojnë debitorë ndaj OSHEE-së dhe nuk kishin mundësi të paguanin faturat e energjisë.

Fatbardha Shaqja, kunata e 68-vjeçarit që u dogj në banesë tha për DurrësLajm se jetonin vetëm me të lypur dhe duke mbledhur kanaçe, sepse nuk kishin as punë e as të ardhura.  

“Kunati im kishte disa vite pa energji elektrike. Çdo natë ata rrinin vetëm me qiri. Dritat ja prenë se nuk kishte lekë të paguante dhe ishte debitor. As pension nuk kishte, as punë nuk kishte as ai as i biri”, – rrëfen Fatbardha.

K.H.