Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në shtëpinë e të moshuarve në Poliçan. Sipas të dhënave të para, mësohet se dy të moshuar kanë humbur jetën, pas një zjarri që shpërtheu.

Një batanije ka marrë flakë dhe tymi i shkaktuar ka asfiksuar dy të moshuarit, të cilët gjetën vdekjen.

Ata janë identifikuar si shtetasit me inicialet T.S., 84 vjeç dhe M.K. 81 vjeç. Policia ka nisur hetimet per zbardhjen e plotë të ngjarjes.

NJOFTIMI I POLICISË

Më datë 24.04.2017, rreth orës 06:00, njoftohemi se kanë ndërruar jetë në azilin e pleqëve Poliçan shtetasit T.S. 84 vjeç, banues në fshatin Lybesh dhe M.K. 81 vjeç, banues në fshatin Veleshje. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor të cilët po punojnë për shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Nga veprimet paraprake dyshohet se vdekja e shtetasve të mësipërm ka ardhur si pasojë e asfiksisë nga tymi i krijuar nga djegia e një batanije.