Autoritetet në Ekuador kanë njoftuar zbulimin e tetë kokave njerëzish në provincën bregdetare jugperëndimore Guayas, një nga zonat më të goditura nga përplasjet e përgjakshme mes grupeve kriminale. Pranë thasëve ku u gjetën mbetjet, policia raportoi se ishin lënë fletushka me mesazhin “ndalohet vjedhja”.
Sipas Policisë së Guayas, pista kryesore e hetimit lidhet me përplasje “mes grupeve kriminale”. Autoritetet bëjnë të ditur se viktimat dyshohet se janë vrarë në provincën fqinje bregdetare Manabi. Me rastin e fundit, numri total i kokave njerëzore të zbuluara në vend që nga fillimi i vitit ka arritur në 13.
Dhuna në Ekuador ka arritur nivele rekord. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit 2025 vendi regjistroi 54 vrasje për çdo 100 mijë banorë, shifër që përkthehet mesatarisht në një vrasje çdo orë.
Një incident i ngjashëm u shënua më 11 janar, kur pesë koka njerëzore u gjetën të varura në zonën turistike të Puerto Lopez.





