Një ngjarje e tmerrshme dëshmohet se ka ndodhur në Gjakovë. Një vajzë 4 vjeçare ka vdekur. Policia ka hapur hetimet për vdekjen e saj, pasi dyshohet se u rrah barbarisht. Ditë më parë, Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllaut të saj, me ç’rast të bijën, e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë.
Më pas, atë e ka gjetur të shtrirë në tokë. Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin. “E mora çikën, filloi me kajt. I thash çka ki, më tha ma ka hi Jakupi me dërras qitu dhe djali i Sabijes mka rreh krejt. As ajo s’mkallxoj bash mirë. Tu ardh nuk mujke me ec, ‘oj mam zemra po m’dhemb’, e morra në shpi e tash si me fjalë mo e morra ajo veç kajke”, ka thënë Hajra, raporton Dukagjini.
Ndërsa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, ajo ka pasur mavijosje në fundshpinë e ënjtje në gjoks. Pasi e ka dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët, familjes i ishte thënë se e njëjta, kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks. Pas përkeqësimit të gjendjes, katërvjeçarja është dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë. Por nëna e saj pretendon e asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj.
“N’gjysë nate m’ka thirr doktorica me hy n’sallë, ku ka qenë çika. Kom hy kom nejt me çik dhe erdh doktorica po ma bën, oj zojë nuk e ka prej t’rrehnit, ka infeksion të madh. I ka shpërthy gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.
Shkakun e vdekjes nga një infeksion, e përmend edhe Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4-vjeçarja kishte shenja të dhunës në trup. Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, nuk kanë thënë më shumë për rastin sesa që thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës derisa nuk kanë dhënë përgjigje për intervistimin e të dyshuarve për rrahjen e të miturës. Njësoj kanë vepruar edhe nga Prokuroria.
“Ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policin janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, ka thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Nëna e të ndjerës ka thënë që vëllau i saj ka mohuar që i biri ka rrahur të ndjerën gjersa i njëjti, siç ka thënë familja, është intervistuar nga Policia e Kosovës. Dritë mbi rastin që është cilësuar si “hetim i vdekjes”, pritet të hedhë raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku ishte dërguar trupi i saj për obduksion.