Një autobot me lëndë të djegshme ka shpërthyer në flakë në zonën Borgo Panigale të qytetit të Bolonjës në Itali.
Zjarri që pasoi mes autostradës dhe disa daljeve dytësore për automjetet ka shkaktuar deri tani një të vdekur dhe 55 të plagosur, 14 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Ura mbi autostradë është rrëzuar pjesërisht, ndërsa shpërthimi thuhet të jetë provokuar nga një aksident që përfshiu tri automjete të mëdha. Pjesa më e madhe e të plagosurve janë transportuar në spitalin më të afërt të zonës, “Maggiore”.
Disa automjete që ndodheshin në koncesionarët aty pranë kanë marrë flakë dhe më pas kanë shpërthyer. Kolona e tymit të shkaktuar nga ky incident është e dukshme nga i gjithë qyteti i Bolonjës. Zjarrfikës të shumtë kanë ndërhyrë, ndërsa në ndihmë është thirrur edhe një helikopter për të frenuar përhapjen e flakëve. Drejtuesve të bllokuar në radhë të mjeteve u janë shpërndarë shishe uji të ftohta për shkak të temperaturave të larta.