SHBA, 7 korrik 2013 – Një avion udhëtarësh ‘Boeing 777’ është përplasur gjatë uljes së detyruar që bëri në aeroportin ndërkombëtar në San Francisco të Kalifornisë.
Sipas dëshmitarëve okularë, bishti i avionit të kompanisë Asiana Airlines u shkëput nga trupi pak çaste para se avioni të prekte pistën e aeroportit. Nga avioni u pa të ngrihej një shtëllungë e madhe tymi.
Autoritet amerikane deri tani konfirmojnë për 2 persona të vdekur, një grua dhe një vajzë 16-vjeçare dhe mbi 40 të tjerë të plagosur, mes tyre edhe dy fëmijë.
Mediat amerikanë kanë publikuar rrëfime të pasagjerëve, të cilat i kanë postuar në rrjetet sociale.
“Disa prej nesh janë mirë nuk janë të lënduar. Ekipet e shpëtimit po evakuojnë të plagosurit. Pati tronditje të mëdha”, citojnë pasagjerët mediat amerikane.
Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit shkuan në vendngjarje, ndërkohë që zyrtarët amerikanë nuk japin detaje për shkaqet e incidentit.
Avioni me 290 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, udhëtonin nga Seuli. Administrata e Federale e Aviacionit ka anuluar fluturimet në aeroportin e San Franciskos për shkak të incidentit të ndodhur.





