30 korrik 2015 – Dy gra nga Kavaja të dyshuara për vjedhje të çadrave të pushuesve në zonën e Golemit u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës nga policia e Kavajës.
Shqiponja Çoku 41 vjeçe si dhe Monda Guri 42 vjeçe të dyja banuese në Kavajë kishin marrë një shtëpi me qira në plazhin e Golemit dhe gjatë orëve të ditës dilnin në plazh.
Kur pushuesit largoheshin nga çadra për t’u larë në det, dy gratë mbërrinin si të ishin në çadrën e tyre dhe merrnin telefona, kuleta, çanta e para.
Sipas policisë, dy gratë dyshohet se në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë kryer vjedhje në plazhin e Golemit, por dyshohet se ato kanë vjedhur edhe në Durrës apo zona të tjera.
Gjatë kontrolleve të banesave të tyre, policia tha se kishte gjetur celularë dhe kuleta e para. Hetuesit dyshojnë se një pjesë e sendeve të vjedhura, kryesisht celularë, ishin shitur nga gratë te persona të tretë, ndërsa po kërkohen edhe denoncues të tjerë të mundshëm të dëmtuar nga dy gratë. /Shqiptarja.com/