27nëntor 2015 – Fluksi i refugjatëve nga vendet e luftës vazhdon ende, duke shënuar të tjerë të vdekur. Të paktën 6 fëmijë janë mbytur pasi dy varka me emigrantë që po udhëtonin nga Turqia për në Greqi u mbytën në ujërat e detit Egje.
Sipas raportimeve të mediave turke, varka e parë mbante rreth 55 emigrantë, shumica e të cilëve sirianë dhe afganë, dhe u fundos pranë qytetit turk Ajvaçik. Ndërsa e dyta mbante rreth 20 persona kur u mbyt pranë lokalitetit të Bodrumit, raporton top-channel.
Përpjekja e fundit e emigrantëve për të arritur Greqinë nga Turqia hasi në erëra të forta dhe mot të keq. Mjeti lundrues që u mbyt pranë Ajvaçikut ishte drejtuar për në ishullin e Lesbos. Trupat e 4 fëmijëve afganë janë rekuperuar nga roja bregdetare turke.
Ndërsa dy të tjerët, dy motra të moshave 4 dhe 1 vjeç, humbën jetën në përpjekjet për të arritur ishullin e Kosit. Turqia është bërë një pikë e madhe tranziti e njerëzve që u largohen konflikteve në Siri, Irak dhe Afganistan, me shpresën për të arritur Evropën veriore.
/portali DurresLajm/