Terrorizmi goditi sërish Parisin. Një polic u vra dhe dy u plagosën nga një person i armatosur, i cili u qëllua për vdekje.
Autori i sulmit në Paris ishte një emër i njohur për autoritetet, i dyshuar për terrorizëm, por është lënë më pas i lirë për mungesë provash.
Mediat e huaja raportojnë se eshte 39-vjeçari, Karim Cheurfi, i dënuar me 20 vjet burg pas tentativës për të vrarë një polic në vitin 2001.
Pas sulmit të kryer një natë më parë në Champs Elysee të Parisit, zyrtarët kanë zbuluar se agresori ka qënë pjese e hetimeve për shkak të dyshimeve për terrorizëm.
Prokuroria nuk ka bërë të ditura shumë detaje, por njoftoi se sulmuesi që u qëllua për vdekje është 39-vjeçari Karim Cheurfi për të cilin po hetohet ende.
Në të shkuarën, ai është marrë njëherë në pyetje për shkak të informacioneve se kishte kërkuar vazhdimisht të blinte armë për të vrarë policë.
ISIS merr përgjegjësinë
Grupi militant Shteti Islamik tha se një prej “luftëtarëve” të tij ka kryer sulmin, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
“Ekzekutuesi i sulmit në zonën Champs-Elysees, në qendër të Parisit, është Abu Jusuf al-Beljiki dhe ai është një luftëtar i Shtetit Islamik”, tha agjencia e lajmeve Amaq, e lidhur me grupin ekstremist.
Prokurori i Parisit, Francois Molins, më vonë tha se “identiteti i sulmuesit është i njohur dhe është verifikuar”.
“Nuk do ta zbuloj atë, sepse hetimet dhe bastisjet tashmë janë duke u zhvilluar”, tha Molins.