TIRANE, 31 tetor 2013 – Në Kuvend nis diskutimi i pr/ligjit për "Për sigurinë në anije dhe porte".
Deputeti i PS-së Fatmir Toçi kërkon rishikimin e procedurës së dhënies me konçension të Portit të Durrësit.
"Të rishikohet dhënia me koncension në mënyrë të dyshimtë gjatë fushatës elektorale të terminalit të trageteve dhe terminalit lindor të portit të Durrësit. 80 për qind e portit të Durrësit janë dhënë me koncesion, të dyshimtë. Nga ky koncesion fitimet në buxhetin e 2013 të portit të Durrësit bien me 58 % në krahasim me 2012”- tha Toçi.
Gjithashtu ai foli dhe për situatën e keqe të portit të Vlorës. ”Në Vlorë funksionet e portit i kryen një bankinë që në kohën e luftës. Gjendja etij sot është një nga njollat e errëta të Gjirit të Vlorës."
Toçi shprehu shqetësimin dhe për situatën ku "portet, terminalet, kontrolli kufitar, doganor lënë për të dëshiruar"
"Linjat e trageteve janë bërë si furgonat e Kamzës. Duhet të vendosim standarde, të hapim tregun. T’i japim fund monopolit dhe klientelizmit në porte”- tha Toçi.
Ndërkohë ish-ministri i Transportit, Sokol Olldashi, deputet i Partisë Demokratike, tha se investimet në porte kanë qenë të konsiderueshme.
Ai hodhi poshtë akuzat e bëra nga deputetë të PS-së në sallë, të cilët theksuan se nuk është investuar dhe akuzuan qeverinë e mëparshme për koncesionet e dhëna në porte.





