Nga Gjergj Thanasi
Afganistan, 6 maj 2014 – Togerja amerikane Xhemi Myler (Jamie Muller), është mjeke ushtarake në avanpostin ushtarak operativ në Spin Boldak të Afganistanit. Mjekja Myler bën pjesë në batalionin e katërt të trupave speciale të grupit të luftimit të Brigadës së katërt, të Divizionit të katërt të këmbwsorisë të dislokuar në Afganistan.
Në fillim të muajit prill, 2014 mjekja Myler gjatë një ekzaminimi rutinë vuri re një lungë të çuditshme në shpinën e një ushtaraku shqiptar, që bënte pjesë në kontigjentin shqiptar të dislokuar në Spin Boldak. Ajo me nuhatje të mprehtë profesionale dyshoi se mund të kishte të bënte me komplikacion serioz.
Togerja Xhemi u konsultua me mjekun ushtarak majorin Michael Rossie, më pas me mjekë specialistw amerikanë në Afganistan dhe në Spitalin ushtarak amerikan në Gjermani. U konkludua unanimisht se ushtaraku shqiptar kishte kancer dhe ishte e nevojshme të operohej mënjëherë, në të kundërt i rrezikohej jeta.
Aftësia profesionale e togeres Xhemi i shpëtoi jetën ushtarakut shqiptar. Fatkeqësisht, përveç falenderimeve personale të ushtarakëve shqiptarë të dislokuar në Afganistan, togerja Xhemi nuk mori asnjë falenderim, asnjë shenjë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes apo nga Shtabi i Përgjithshëm shqiptar.
Ministria e mbrojtjes, që nuk le rast madje deri në servilosje të pështirë pa vënë në dukje solidaritetin e marrëdhënieve ushtarake shqiptaro-amerikane mbajti heshtje të plotë për këtë gjest human të mjekes ushtarake Myler.
Një akt i tillë është provë e prekshme e marrëdhënieve prej shokësh armësh, që po kultivojnë ushtarakët shqiptarë dhe ata amerikanë në Afganistan. Burokratët civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe burokratët me uniformë të Shtabit të Përgjithshëm do bënin mirë t’i evidentonin maksimalisht të tilla episode mbresëlënëse të miqësisë ushtarake shqiptaor-amerikane.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





