Shoqëria përmbarimore EPSA po tenton të shesë sërish 15 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rinasit, e cila është në pronësi të ish-kompanisë së fluturimeve ajrore “Belle Air”, e cila tashmë ka falimentuar.
Përmbaruesit qysh prej vitit të kaluar janë vënë në përpjekje të shitjes së pronës për llogari të një kredie me një vlerë 381 mijë euro qe kompania “Belle Air” kishte ndaj “Raiffeisen Bank”. Por pas një serie bllokimesh të procesit për shkak të vendimeve gjyqësore prona po ridel në shitje me një vlerë 28 për qind më të ulët, 267 mijë euro, nga 381 mije euro që u çmua ne ankandin e dhjetorit 2015.
Ankandi për shitjen e tokës ka nisur për një periudhë një mujore dhe do të qëndrojë i shpallur deri më datën 22 prill. Shoqëria përmbarimore EPSA sqaron se kërkesat do të priten deri në orën 16:00 të datës 22 të këtij muaji. Secili ofertues duhet të depozitojë bashkë më kërkesën edhe garancinë prej 10% të çmimit fillestar në llogarinë bankare të kompaninë.
Kompania “Belle Air”,e vetmja kompani ajrore me kapital tërësisht shqiptar shpalli falimentin në tetor të vitit 2013. Në atë kohë “Belle Air” zinte 52% të tregut të fluturimeve.
Sipas shpjegimit të pasqyrave financiare të bilancit të “Belle Air” në fund të vitit 2012, kompania kishte një detyrim kredie prej 1.13 miliardë lekësh, që përfaqësonte një linje overdrafti me bankën “Intesa San Paolo Albania” dhe “Raiffeisen Bank” për një limit overdrafti prej 5 milionë eurosh, për një vlerë të mbetur overdrafti prej 767 milionë lekësh.
MONITOR