Zaptimi i hapësirave ku luajnë fëmijët është një prej problemeve me të cilat ndeshen çdo vit qytetarët në Durrës.
Këtë fillim pranvere, fëmijët presin me padurim t’u rikthehen lojrave të tyre në lulishte e të argëtohen, pasi kanë qëndruar për një kohë të gjatë të mbyllur në shtëpi apo qendra tregtare, si rezultat i motit të ftohtë.
Por pronarët e lokaleve nuk mendojnë kështu për fëmijët e qytetit të Durrësit. Ata, edhe këtë vit, kanë nxjerrë deri në lulishte tavolinat e karriget, pasi kanë bllokuar të gjithë rrugët e kalimit nga dyert e lokaleve në pjesën e gjelbëruar.
Operatori i DurrësLajm sjell gjendjen konkrete në lulishten e vetme që ka qyteti i Durrësit, në rrugën hyrëse të tij.
Pronarët e lokaleve kanë nxituar të nxjerrin sa më shumë tavolina e karrige.
Zënia e këtyre hapësirave do të thotë më pak hapësira për fëmijët, më pak lulishte për ta.
Këtë shqetësim, banorët e Durrësit, jo vetëm ata të lagjes numër 17 e kanë ngritur në vijimësi, pasi për çdo vit shtohet numri i lokalave në këtë lulishte dhe pakësohet hapësira e përcaktuar për qytetarët.
Madje shumë lokale kanë spostuar ose i kanë hequr fare ato pak lodra, që vendosi bashkia për t’u argëtuar fëmijët e Durrësit.
Lulishtja në lagjen numër 17 në Durrës është shembulli konkret i abuzimit me hapësirën publike, i indiferencës së pushtetarëve vendorë, të cilët para “argëtimit të vogëlushëve” vendosin grykësinë e pangopësinë e pronarëve të lokaleve.
Ndoshta fëmijët nuk dinë shumë rreth asaj çfarë po ju shkaktohet sot, por një gjë është e sigurt, që me dashje, të rriturit po ju grabisin lojërat e fëmijërisë, ju grabisin ajrin e pastër në lulishte dhe bashkë me lojërat, edhe buzëqeshjen e tyre.
K.H.





