Një festë miqësie, një arenë sportive a një qebaptore gjigante. Quajeni si të doni, po qendra historiko-administrative e qytetit tonë këtë muaj e deri në mbarim të Euro2016-s është e zënë. Fëmijët dhe të rriturit që rëndom shijonin sheshin e ri me shatërvanin modern, “dhuratë” parazgjedhore e vitit 2015, tani do të duhet të shijojnë qoftet dhe birrat, ose të vihen në kërkim të hapësirave të reja pa pagesë (?!).
Ky realitet i bërë fakt nga një vendim i Bashkisë Durrës, që për mungesë transparence ndaj publikut nuk dihet nëse është dhuratë ndaj subjektit privat që organizon festën një-mujore në shesh apo bazohet në një kontratë të mirëfilltë me të drejta e detyrime nga të dyja palët (Bashki-Privat), mori fillimisht një reagim nga Myftinia e Durrësit. Ajo dhe mjaft besimtarë e konsiderojnë një provokim të hapur, mungesë respekti të Bashkisë së pari ndaj muajit të madhërueshëm të Ramazanit dhe agjëruesve këtë pushtim të qendrës nga reklamat dhe fuçitë e birrës që duket do të derdhen lumë për të ndjekur në shesh Euro 2016 dhe skuadrën tonë të zemrës. Duket se një përplasje mes komunitetit mysliman dhe bashkisë së Durrësit po zgjohet. Ramazani nuk është thjesht muaji i agjërimit nga ushqimi dhe uji, por edhe muaji i agjërimit nga veset, ndaj mjaft besimtarë kanë kërkuar nga Myftinia të reagojë fort jo vetëm publikisht, po dhe zyrtarisht pranë kryebashkiakut Dako, për këtë ngjarje të shëmtuar. Disa kanë shkuar më larg duke kërkuar që të refuzohet edhe iftari që siç po kthehet në traditë shtrohet nga kryebashkiaku për besimtarë dhe të ftuar. Respekti vjen natyrshëm, nuk imponohet.
Në të vërtetë ky reagim shihet si ekstremist nga shumë qytetarë të Durrësit, mes tyre dhe mjaft besimtarë praktikantë të fesë islame. Në një qytet ku bashkëjetojnë kultura dhe besime fetare të ndryshme, nuk ka vend për pretendime të kësaj natyre. Në fund të fundit, agjëruesit nuk po përballen me një tundim. Ata nuk agjërojnë për Myftininë, as nuk e kanë përqafuar me pahir agjërimin. Agjërohet në emër të Zotit dhe për Zotin, një ndërmarrje kjo me karakter thellësisht personal për t’u pastruar nga mëkatet e trupit dhe shpirtit.
Sheshi është në qendër të qytetit dhe si i tillë ai i përket të gjithëve. E nëse ka një problem pikërisht këtu qëndron, te bashkësia qytetare. A janë të gjithë të gatshëm të mirëpresin një ngjarje të tillë sportive, për plot një muaj nën tymin e qofteve, erën e birrave, ndotjen e lartë akustike që vjen nga gjenerimi i muzikës dhe zërave të ndjekësve të ndeshjeve të futbollit në shesh? Si ndjehen ata që banojnë rretheqark sheshit nën këtë zallamahi, që do të zgjasë jo pak? Mjaft qytetarë janë kundër. Në shesh shpesh luajnë të shkujdesur fëmijët, që tashmë duhet të kthehen nga kanë ardhur ose të nisin të shijojnë edhe ata birrën e ndaluar. Larg qofte, po ky do të ishte një argument kundër mjaft i mirë dhe për Myftininë.
Përtej argumenteve pro dhe kundër ndaj festës së miqësisë, një gjetje e subjektit privat për të rritur fitimet e kompanisë, dhe ku secili mund të pozicionohet lehtë në varësi të qasjes personale organizime të tilla janë praktika të njohura edhe për qendra qytetesh evropiane. Ato shfrytëzohen në funksion të turizmit dhe vjeljes së të ardhurave që më pas i kthehen qytetit në formën e investimeve a shërbimeve publike. Po festa si kjo e Durrësit a mos vallë shkojnë thjesht në favor të kompanive që ofrojnë birrat e qoftet e në formë zarfi ndonjë përfitim të majmë që përfundon direkt në xhepa pushtetarësh?
Për aq kohë sa nuk bëhet transparencë nga Bashkia mbi marrëveshjen e bërë për sheshin tonë “Liria” kemi të drejtë të aludojmë për interesa të ngushtë, që abuzojnë dhe majmen në kurriz të së mirës publike, duke cënuar rëndë interesin e përbashkët.
Mesa duket jetojmë në kohën e qofte-birrës. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Në fund të fundit dhe ata që na drejtojnë, që marrin vendime për qytetin dhe ofrojnë shërbime publike për qytetarin i shijojnë qoftet me birra. Madje dhe ata që reagojnë ashpër ndaj zaptimit për një muaj të sheshit ka shumë mundësi që nuk do t’i shpëtojnë tundimit. Kush nuk i shijon në fakt.
Përveç Shqipërisë në epokën e internetit, jetojmë në Durrësin që kutërbon aromë qoftesh e birrash duke rritur ndjeshëm temperaturat e qershorit. Lart thirret ezani, ndërsa ora e akshamit fton besimtarët agjërues drejt iftarit, çlirimit nga një ditë e gjatë agjërimi në emër të Zotit, larg veseve dhe së keqes.





