28 janar 2015 – Humbja e fundit e Vllaznisë në "Loro Boriçi" kundër Kukësit ka marrë vëmëndjen edhe të këshillit bashkiak të Shkodrës, në të cilën anëtari i tij Eugen Vaso ka akuzuar për trukim të ndeshjes, duke shkuar madje deri tek detaji si pagesa 100 mijë euro për katër fitoret në këtë kampionat të kuksianëve ndaj kuqebluve. Por ndërsa këto akuza ende nuk kishin marrenjë reagim zyrtar të klubit Vllaznia, i menjehershëm ka qenë ai nga kampi kuksian që nëpërmjet një deklarate për shtyp i ka konsideruar "akuzat e këshilltarit të bashkisë Shkodër si të pabaza, të shëmtuara dhe që synojnë përbaltjen e imazhit të Kukësit". Në kundërpërgjigjen e tij klubi kuksian thekson se Vllaznia si djepi i futbollit shqiptar nuk shitet dhe nuk blihet me euro dhe se duartrokitjet në fundin e takimit mbysin cdo zë dashakeqës për të dy ekipet.
Ndërkohë për të mos e lënë iniciativën e tij vetëm në kuadrin e një beteja mediatike, klubi kuksian do ta vazhdojë këtë aksion edhe në organet e drejtësisë, teksa është përgatitur një padi penale ndaj këshilltarit Vaso, që në bazë të kodit civil do të kërkojë dëmshpërblim për prishje të imazhit dhe shpifje. Deklarata e klubit verilindor mbyllet me fjalët se Ku
kësi është krenar për punën e bërë deri më tani dhe gjithashtu i hapur cdo personi dhe institucioni për të provuar ndershmërinë dhe lojën korrekte. Pak orë pas reagimit të Kukësit është pozicionuar zyrtarisht në lidhje me akuzat për trukim në ndeshjen e fundjavës së kaluar edhe Vllaznia që i kërkon organit të akuzës prokurorisë të zbresë në fushë edhe në Shkodër.
Në një qëndrim të qartë dhe të drejtëpërdrejtë klubi kuqeblu bën të ditur se " nisur nga komentet e ditëve të fundit në lidhje me deklarimet e ngritura në media, për një trukim të mundshëm të ndeshjes Vllaznia – Kukësi, Klubi i Futbollit Vllaznia i kërkon prokurorisë të nisë një hetim të plotë në lidhje me këto deklarata".
Vllaznia shprehet madje e gatshme që të hetohet jo vetëm për këtë ndeshje por për cdo takim të kaluar të skuadrës në kuadër të transparencës , ndërkohë që në të njëjtën kohë fton cdo person që ka prova apo fakte në lidhje me këto raste, ti drejtohet prokurorisë për hetimin e tyre dhe të mos dezinformohet opinioni publik me qëllime dadshakeqe pasi kështu po tentohet t'i shkaktohet një dëm i madh për emrin dhe imazhin e klubit më të vjetër të futbollit në vendin tonë.





