28shtator 2015 – Deputeti i larguar nga PS-së, Tom Doshi, kallëzon kolegun e tij të LSI-së, Spartak Braho për shpifje. Ai kërkon nga gjykata që Braho ta dëmshpërblejë për shpifje me…1 euro. Sot ishte seanca e parë në Gjykatën e Latë, por Braho nuk është paraqitur. Doshi e quan shpifje raportin mjekësor që publikoi Braho në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve.

Në Këshill, Tom Doshi pritej të paraqitej për të dhënë shpjegime dhe për të bërë kundërshtitë e tij, për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, që i kërkoi Kuvendit autorizimin për ta arrestuar. Në fakt Doshi, në mbledhjen e dytë të Këshillit paraqiti një raport mjekësor, sipas të cilit, gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë ndaj kërkonte shtyrjen e mbledhjes.

Deputeti Braho denoncoi më pas se raporti ishte i falsifikuar, pasi mjeku që e kishte firmosur, kishte të punësuar gruan në një nga kompanitë në pronësi të deputetit Doshi. Ky i fundit, duke i cilësuar shpifje deklaratat e Spartak Brahos, ka vendosur ta ndjekë çështjen në rrugë gjyqësore.

/portali DurresLajm/