10 korrik 2015 – Kthimi i deputetit Tom Doshi, dje në Parlament, ishte në qendër të vëmendjes së medieve në vend. Prej disa muajsh, që pas përplasjes së tij me Ilir Metën dhe arrestimit me urdhër të Prokurorisë, Tom Doshi nuk ishte shfaqur në sallën e Parlamentit. Deputeti Doshi u ul në vendin e tij të zakonshëm, ku ulej edhe para krisjes së marrëdhënieve të tij me kryeministrin Rama.
U konstatua se deputetët socialistë qëndruan ftohtë dhe rëndë ndaj kolegut të tyre, dhe madje ai pati edhe një bisedë me deputetin socialist, Erion Braçe, e cila u interpretua që Doshi i kishte thënë Braçes “Pse nuk flet ore legen”.
Por në një prononcim për gazetën ‘Sot’, Tom Doshi ka sqaruar këtë situatë, për të cilën thotë se ishte një bisedë mes kolegësh dhe nuk kishte fyerje.
“Me Erion Braçen pata një bisedë mes kolegësh. Nuk është e vërtetë që ndonjëri prej nesh fyeu. Unë Erion Braçen e kam koleg dhe patëm një bisedë shumë të shkurtër”, tha Doshi për gazetën ‘Sot’.
Një fakt i dytë që qarkulloi dje ishte dhe konstatimi se në momentin që mbërriti deputeti Doshi, i shkëputur prej muajsh nga parlamenti, kolegët e tij socialistë u larguan nga vendet e tyre. Deputeti Doshi sqaroi se, edhe ky konstatim nuk është i vërtetë. Ai u shpreh se, në momentin që u ul në karrigen e tij, nuk ishte i pranishëm asnjë prej deputetëve që ulen në resht të dytë.
“Konstatimi nuk është aspak i vërtetë. Kur unë u ula në vendin tim, në resht të dytë, nuk ishte asnjë prej deputetëve. Nuk është e vërtetë që deputetët u larguan, thjesht aty nuk ishte njeri në momentin që unë u ula”, u shpreh deputeti Doshi. Deputeti i Qarkut të Shkodrës bëri të ditur gjithashtu, se pas disa muajsh mungesë në parlament, ai do të rikthehet. “Unë do të jem në parlament çdo të enjte”, deklaroi Doshi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/