26 shkurt 2015 –  Tom Doshi – Deputet i PS: “Do t’i bëj me dije Edi Ramës që qysh sot e tutje mes meje e tij s’ka paqe më dhe do ta shohim se kush është i humbur në këtë luftë".

Deputeti socialist Tom Doshi ka reaguar në këtë mënyrë ndaj deklaratave të bëra nga kryeministri Rama gjatë një takimi të zhvilluar një ditë më parë në kryeministri me një grup deputetësh, ku sipas Doshit, ai ka thënë se qendrimi i tij kritik ndaj qeverise eshte për interesa personale. Deputeti i Shkodrës thotë se nuk ka asgjë personale, por se ka folur për shqetësime te elektoratit.

Tom Doshi – Deputet i PS:  “Do t’i kthej një përgjigje Kryeministrit dhe kryetarit të PS për mbledhjen që ka bërë dje me disa deputetë, që ka thënë se zoti Doshi e bën për interesa personale, unë i kërkoj Kryeministrit që t’i bëjë publike interesat e mia personale. Shqetësimi ka qenë vetëm për problemet që janë në bazën e PS për premtimet që ai ka bërë në fushatë që s’ka dhënë asnjë investim për Shkodrën. I gjithë buxheti është përqendruar në Jug. Kemi premtuar në fushatë për ujitjen për çdo bimë, në Shkodër nuk kanë ujë me pi. Janë disa komuna që i kemi premtuar bashkë dhe unë u kam thënë se nuk vij t’u kërkoj votën nëse ujësjellësat nuk bëhen deri në zgjedhjet e ardhshme.”

Duke e sfiduar kryeministri të bëjë publike kërkesat e tij personale, deputeti i Shkodrës paralajmëron se nëse ai do të flasë publikisht për çfarë di, atëherë do tronditeshin themelet e mazhorancës dhe qeverisë.

Tom Doshi – Deputet i PS: “Çdo gjë do t’ia bëj publike, por edhe ai t’i bëjë publike ato çfarë thotë ai që unë e kam bërë për interesat e mia. Kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet mazhorancës dhe kësaj qeverie”.

Deputeti Doshi shkon edhe më tej. Ai e akuzon kryeministrin Rama si mosmirënjohës, thotë se njerëzit pranë tij po pasurohen dhe përsa u përket akuzave ndaj drejtoreshës së përgjithshme të tatimeve, shprehet se ajo po emëron njerëz të afërm në tatime dogana e polici.

Dhe pavarësisht këtyre akuzave të ashpra Doshi deklaron se do të vazhdojë të jetë pjesë e grupit parlamentar socialist.

Tom Doshi – Deputet i PS: “Unë përfaqësoj të gjithë elektoratin e Shkodrës. Kam 10 vjet që jam në politikë. Kam drejtuar të gjitha zgjedhjet dhe dihet që çfarë fitorje ka patur PS në Shkodër. Por Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukëshkelur për mua dhe të gjithë ata që e votuan në Shkodër. Dhe ky do ta shohi edhe në zgjedhjet lokale. Thashë sa ka filluar lufta mes meje dhe tij. Nuk kam gjë personale. Gjithnjë flas në emër të bazës. Pakënaqësia e popullit, ju e dini. Ekonomia është më keq se në kohën e Berishës. Po pasurohen një grup njerëzish që ka rreth vetes. Edhe përsa i përket drejtoreshës së Tatimeve të japë përgjigje Edi Rama publikisht për lidhjet nepotike që ka emëruar ajo nëpër dogana, tatime, në polici e kudo janë. Patjetër do të jem në grupin e PS por do të jem një kritik më i fortë se në opozitë.”

Teksa mohon të jetë ketë patur një takim me ish- kryeministrin Berisha, Doshi e paralajmëron sërish Kryeministrin se e ka të humbur luftën me të, duke i kujtuar se të humbur kanë dalë edhe Berisha e Topalli.

Tom Doshi – Deputet i PS: “Jo jo. S’kam lidhje me zotin Berisha. Edi Rama e di shumë mirë që Berisha e Topalli s’kanë fituar luftë me mua dhe jo më Edi Rama. Se lufta brenda llojit është si kanceri që nuk gjen shërim”.

Tom Doshi thotë se nuk i trembet përjashtimit nga grupi, pasi sqaron se ai thjesht po kërkon transparencë, pasi sipas tij, me korrupsionin dhe lidhjet nepotike kjo qeveri në kaq kohë ia ka kaluar qeverisë Berisha në mandatin e tij të parë.

Tom Doshi – Deputet i PS: “Për çfarë me m’përjashtu prej grupit. Unë kërkoj transparencë ndaj Edi Ramës. S’kam kurgjë tjetër. Transparencë se ka premtu se s’do të ketë korrupsion, lidhje nepotike, të cilat për një vit e gjysmë i kanë kaluar 4- vjetëshin e parë të Berishës”.

Pas këtyre deklaratave të forta, deputeti Doshi u pa në seancë duke debatuar me deputetin Koço Kokëdhima. Disa deputetë pranë tyre në sallë thanë se shkak për debatin janë bërë pikërisht kritikat publike të Doshit ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Rama.

Deputeti i Shkodrës, edhe në mbledhjen e grupit parlamentar socialist të zhvilluar të martën me dyer te mbyllura nën drejtimin e Gramoz Ruçit, shprehu kritikat ndaj disa ministrave kërkoi ndryshime në qeveri.

Tv Klan