9 janar 2015 – Shumica e drejtorëve të Partisë Socialiste do të largohen nga detyra para zgjedhjeve të 21 Qershorit. Viti 2015 ka nisur me furtunë, lëvizje dhe llogaridhënie për drejtorët kyç të partisë më të madhe në pushtet. Beteja e heshtur mes grupit parlamentar socialist dhe qeverisë, pasuar me rritjen e trysnisë së zgjedhjeve të 21 Qershorit, po përfundon me koka turku, konkretisht me largimin e disa drejtorëve në të gjitha qarqet dhe rrethet e Shqipërisë. Pas vendimit për shkrirjen e Ministrisë së Turizmit dhe urdhrit të firmosur nga kryeministri Edi Rama për ristrukturimin dhe riorganizimin e brendshëm të institucioneve, lëvizjet do të prekin drejtpërdrejt drejtorët kyç të Partisë Socialiste në Tiranë dhe rrethe, të identifikuar si përgjegjës për pakënaqësitë në rritje të elektoratit. Sipas burimeve, deputeti Tom Doshi ka kërkuar shkarkimin në bllok të drejtorëve të Partisë Socialiste në Shkodër, për shkak se performanca e tyre është larg pritshmërive të elektoratit, angazhimeve të deputetëve dhe sfidave të qeverisë. Deri më tani, në Shkodër janë larguar drejtori i ALUIZNI-t, drejtori i ZRPP-së, DRKK-së, ndërsa pritet dhe largimi i drejtorëve të tjerë. Ish-kreu i ALUIZNI në Shkodër, Antonela Kçira, u shkarkua nga detyra, dhe në vend të saj u emërua Ardian Dodani. Ndërsa ish-kreu i ZRPP në Shkodër, Orest Vucaj u shkarkua dhe në vend të tij u emërua Ilir Niklekaj. Dy ish-drejtorët e sipërpërmendur, sipas burimeve, nuk kishin arritur rezultatet e kërkuara.
Deputetët e PS nisin fshesën në 12 qarqe
Deputetët e tjerë të Partisë Socialiste, me ndikim më të madh në zonat e tyre elektorale, kanë planifikuar dhe piketuar ndryshimin e shumicës së drejtorëve në të 12 qarqet. Për të gjitha këto lëvizje, ka një koordinim mes deputetëve dhe krerëve të degëve të Partisë Socialiste. Nuk do të largohen vetëm drejtorët që janë debitorë të OSHEE apo drejtorët e ekspozuar ndaj rasteve të korrupsionit, por objekti i fshesës së përgjithshme do jenë drejtorët me performancë të dobët dhe që kanë krijuar pakënaqësi në bazën e Partisë Socialiste. Vetëm disa javë më parë, në Malësinë e Madhe u shkarkua drejtori i Arsimit, pasi rezultoi debitor ndaj OSHEE.
Ka qënë vetë Ministria e Arsimit në këtë rast, e cila ka njoftuar shkarkimin e drejtorit të Arsimit në Malësinë e Madhe, pasi ishte debitor i energjisë elektrike. Por, ky nuk është rasti i vetëm. Pas aksionit kundër energjisë elektrike, shumë prej drejtorëve në rrethe janë shkarkuar, pasi prej vitesh nuk kishin paguar energjinë elektrike.
Grupi i Punës
Grupi i punës për skanimin e cilësisë së burimeve njerëzore në administratë, i përbërë nga deputetët Taulant Balla, Namik Kopliku dhe Majlinda Bufi, prej disa muajsh inspektuan të gjithë drejtorët e rretheve dhe të Tiranës, etiketuan të gjithë drejtorët të cilët kanë pasur një performancë të dobët, që kanë shkaktuar pakënaqësi në radhët e deputetëve, drejtorët të cilët kanë abuzuar me detyrën, ata të cilët nuk kanë pasur arsimin e duhur dhe ata drejtorë të cilët përdornin postin për përfitime personale. Aktualisht, grupi i punës për administratën ka përfunduar hartimin e tabelave pas analizës disa mujore të bërë në të 12 qarqet. Me fillimin e punës së Parlamentit, grupi i punës do të dorëzojë rezultatin final në tavolinën e kryeministrit Rama, i cili më pas do të vendosë për fatin e drejtorëve.
/sot news/





