5 mars 2015 – Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi, emri i të cilit është ndër më të lakuarit ditët e fundit, ka bërë publike në profilin e tij në “Facebook”, videon në të cilën shfaqet Durim Bami, i cili sipas pretendimeve të Doshit, është ‘vrasësi’ i porositur të kryente krimin ndaj deputetit.

Videon 8-minutëshe, Doshi e ka cilësuar si një video me të vërteta të frikshme për realitetin shqiptar, e cila nxjerr lakuriq deklaratat e deritanishme të shtetit.

“Përshëndetje të dashur miq. Po ju paraqes një video me të vërteta të frikshme për realitetin shqiptar. Një video që do tregojë kush na udhëheq dhe sa të sigurt e kemi jetën. Një video që do nxjerr lakuriq deklaratat e deritanishme të shtetit. Prita deri sot reagimin e të gjitha institucioneve. I lejuam porositësit e vrasjes të tregonin edhe njëherë sa frikë kanë nga e vërteta. Manipuluan dëshmitarin, fshehën të vërtetën, akuzuan njerëz pa asnjë lidhje me vrasjen. Nxirreni vetë përfundimin se kush e thotë të vërtetën”, shkruan në “Facebook” Doshi.

Videoja është regjistruar në shtëpinë e deputetit, dhe në bisedën mes Doshit dhe Bamit, flitet për ‘vrasjen’ e pretenduar, ku ky i fundit tregon momentet e para kur një person me emrin Toni e kontaktoi për të kryer vrasjen e deputetit. Më pas flitet edhe për shumën e ofruar për krimin, si dhe mbështetjen e siguruar pasi të ndodhte vrasja.

Por ndryshe nga ajo çka thotë në këtë video, deklaratat e Bamit kanë qenë të tjera para hetuesve, pasi ka hedhur poshtë pretendimet e Doshit duke thënë se ai ishte paguar nga deputeti për të gënjyer.

/s.l. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/