Teuta është “ngrohur” pas fitores 2-1 ndaj Egnatias në stadiumin “Niko Dovana”. Një fitore që mban ende gjallë shpresat për vendin e 4-t. Sulmuesi Rrok Toma, i cili shënoi golin e sigurisë ndaj kampionëve në fuqi, thekson se tani pret vazhdimësi të rezultateve pozitive. Ai kërkon ta ndihmojë sa më shumë skuadrën për të arritur objektivave sezonit.

Toma, Teuta rigjeti fitoren në ndeshjen e fundit, ku ju shënuat golin e dytë. Si ndiheni pas këtij suksesi?

Jam shumë i kënaqur, luanim kundër Egnatias që ka bërë një futboll mjaft të mirë. Fituam me lojë, me zemër dhe dëshirë. Të gjithë dhanë maksimumin në fushë dhe për këtë dua t’i falënderoj shokët e ekipit për sakrificën që kanë bërë. Kishim punuar gjatë javës dhe na shkoi mirë, pasi mundëm një kundërshtar të vështirë. Tani thjesht duhet të vazhdojmë të përmirësohemi. Goli sigurisht që është mjaft i rëndësishëm për një sulmues dhe jam i gëzuar.

Mund të themi që Teuta u çlirua pas kësaj fitoreje?

 Të them të drejtën, duhej të kishim shënuar më shumë gola, ashtu siç rrodhi loja, ku patëm raste për shënim. Edhe në ndeshjet e tjera kemi prodhuar lojë e raste, por shënojmë pak. Duhet të jemi më efikasë në vijën e parë dhe shpresojmë që të jemi çliruar pas fitores së fundit.

Ndeshja e fundit e këtij viti është ajo me Bylisin në Durrës. Si e prisni?

Nuk ka ndeshje të lehta në kampionat, por mendoj se skuadra e ka vetë në dorë t’i bëjë ndeshjet të lehta apo të forta. Bylisi nuk është aspak një ekip i lehtë, deri tani ka bërë shumë mirë. Së fundi barazoi në Korçë dhe ne duhet të kemi shumë kujdes. Nëse bëjmë lojën tonë, besoj se do të themi se jemi Teuta që kërkojmë. Jemi të fokusuar te kjo ndeshje e fundit.

Do ta pranonit edhe një pikë në këtë ndeshje?

Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë, por një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses, duhet të kalojë çdo vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën për ta fituar edhe ndeshjen me Bylisin.