Interes të madh treguan paraditen e kësaj të shtune vogëlushët e Durrësit për të ndjekur nga afër shfaqjen e Teatrit të Kukullave “Tomi & Xherri”.

Dy personazhet e njohur të filmave të animuar erdhën premierë në këtë shfaqje, që synon të krijojë jo vetëm momente gazmore, por edhe të përcjellë mesazhe të forta, që lidhen me fenomenet negative të ditëve tona.

“Kemi mesazhe për bullizmin, që për fat të keq ndihet shumë në shkollat tona. Gjithashtu kemi mesazhe mbi marrëdhënien e krijuar me teknologjinë, varësinë ndaj saj. Fëmijët nuk bëjnë dot pa telefonin dhe harrojnë të luajnë, të përfshihen në aktivitete.”,- thotë aktori Aleksandër Kondi, i cili në këtë shfaqje interpreton maçokun Tom.

Të njohur për armiqësinë e madhe mes tyre, Xherri duket se nuk e fali Tomin, që nuk i la radhë as për të folur.

“Unë vi si personazh i Xherrit në këtë shfaqje. Jam mërzitur shumë me atë Tomin dhe a e di pse: Arsyeja është sepse në këtë intervistë që sapo dha i tha të gjitha dhe mua nuk më la asgjë për të thënë”,– thotë me humor aktori Jaho Guma, që për herë të parë interpreton në një shfaqje për fëmijë.

Nën interpretimin e dy aktorëve Kondi dhe Guma, shfaqja për fëmijë e përcolli më së miri mesazhin e saj.

Loja aktoriale dhe batutat hidh e prit mes dy miqve-armiq i argëtuan mjaft vogëlushët. Ata që s’mundën ta ndiqnin live këtë të shtunë, kanë dy mundësi të tjera të dielën për të parë nga afër këtë shfaqje.

M.B.