Tomislav Bushiç e nisi me gol sezonin 2019-2020. Sulmuesi kroat shënoi në miqësoren e parë që Teuta zhvilloi në Bullgari dhe tashmë shpreson që diçka të tillë ta bëjë edhe në ndeshjen që durrsakët do të luajnë më 11 korrik ndaj Ventspilsit për Ligën e Europës.
Bushiç foli për pritshmëritë që ka në aventurën europiane me “djemtë e detit”, ndërsa theksoi se ëndërron që të kalojnë turin dhe të përballen me Hajdukun e Splitit.Bushiç është prodhim i akademisë së klubit kroat dhe tashmë mund të ritakohet me ekipin e zemrës, gjithnjë nëse në turin e parë kualifikohen Teuta ndaj Ventspils dhe Hajduku kundër maltezëve të Gzira Junajtid. Nga viti 2004 deri në 2008-ën, Bushiç është aktivizuar në 85 ndeshje me fanellën e Hajdukut dhe ka arritur të realizojë 30 gola. Më pas karriera e tij pati rënie, edhe pse arriti të luante pak kohë në Ukrainë me Dinamon e Kievit.
Tomislav, e keni nisur me gol sezonin. Na tregoni pak për përgatitjet në Bullgari?
Po, prej disa ditësh jemi këtu në Bansko dhe po përgatitemi shumë mirë. Mendoj se si unë, ashtu edhe gjithë skuadra, jemi duke marrë veten dhe duke kapur formën. Shpresoj që unë të jem në gjendjen time më të mirë dhe të mos ndalem së shënuari. Tashmë jemi duke punuar në një periudhë ku ndoshta për ne futbollistet është më e vështira. Duhet të punojmë shumë fizikisht, por rëndësi ka që deri më tani çdo gjë është OK. Uroj që të jemi në maksimumin tonë deri në ndeshjen e parë europiane.
Si ju duk shorti dhe sa e njihni Ventspils?
Ventspils është një kundërshtar që ne do ta vlerësojmë maksimalisht. Për ne është e qartë që na pret një ndeshje e vështirë, ndaj edhe do përgatitemi të japim maksimumin. Kundërshtarin e njohim pak që një sezon më parë kur ka luajtur me Luftëtarin. Mbaj mend që ka bërë ndeshje të mira. Ne do të udhëtojmë drejt Letonisë për të zhvilluar lojën tonë dhe do të mundohemi të dalim me një rezultat pozitiv, edhe pse e dimë se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë.
A mendoni se është një kundërshtar i kalueshëm për Teutën?
Rivali ynë merr pjesë rregullisht në Europë dhe për më tepër tani është në kulmin e kampionatit, por për ne më mirë që ndeshjen e parë e kemi në Letoni. Në ditët në vazhdim do të shikojmë edhe videot dhe do ta studiojmë me imtësi kundërshtarin, në mënyrë që të mos surprizohemi kur të ndeshemi me ta. Unë besoj se do ta kalojmë këtë tur. Do të shkojmë në sfidën e parë me shumë respekt, por edhe vetëbesim.
Edhe vetë drejtuesit kanë thënë se kalimi i një turi është objektiv për ekipin. Çfarë ju bën të besoni se mund t’ia dilni?
Dua të them se të gjithë duhet të japim më të mirën tonë në çdo seancë stërvitore, pasi në Europë duhet sakrifikuar dhe duhet dhënë 100. Kemi besim të plotë se do të bëjmë mirë, pasi edhe kundërshtari që na rezervoi shorti, është i një niveli të kalueshëm. Këtu janë të gjithë profesionistë dhe duhet të mendojmë për ndeshjet e Europës dhe të bëjmë detyrën tonë në fushë.
Në rast kualifikimi, Teuta do të përballet me fituesin e çiftit Gzira Junajtid-Hajduk Split. Cilin do të donit si kundërshtar?
(Qesh) Do të ishte perfekte nëse Teuta do kalonte në turin e dytë dhe të përballemi me Hajdukun e Splitit. Unë do të kisha mundësinë që të luaja për herë të parë me një ekip shqiptar kundër skuadrës ku kam dhënë gjithçka. Te Hajduku kam hedhur hapat e parë të karrierës dhe kam qenë pjesë e tij prej 9 vitesh, duke filluar nga mosha 16 vjeç në akademinë e klubit. Uroj që të kualifikohet si Teuta, ashtu dhe Hajduku, pasi do ishte diçka mjaft e bukur dhe e veçantë për mua.





