Deputeti demokrat Tomorr Alizoti ka hedhur akuza të forta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, pasi mbështetësit e këtij të fundit hodhën gaz lotsjellës ndaj protestuesve në selinë e PD-së.
Ai u shpreh se prania e policisë në godinën e PD-së tregon se kjo parti ka vdekur politikisht, ndërsa shtoi se tashmë Bashës nuk i vlejnë më as vula dhe as selia. Sipas tij, izolimin e partisë siç po e bën Basha nuk e ka bërë as Ramiz Alia, teksa tha se tashmë nuk mund t’i thotë më Bashës kryetar.
“Policia është një institucion shtetëror, por ne nuk jemi në Suedi. Vetë partia jonë ka thënë që kjo është policia e krimit. Për ne si demokratë, prezenca e policisë dio të thotë që kemi vdekeur politikisht. Kur hyn policia, ka mbaruar politika. Për cfarë i duhet kryetarit aktual vula dhe selia. Partia është e anëtarëve, nuk duhet të izolohet.
E di që lufta në këtë rast është luftë për të marrë partinë, jo për koncepte ideologjike. Në PD nuk ka alternativë, nuk ka institucion. Ai që është sot në PD nuk mund të përdori gaz ndaj vartësve të vet, ata janë votues demokratë. Izolimin nuk e ka bërë as Ramiz Alia. Kjo parti e djathtë është e shëmtuar. Aty kanë qenë pamje mesjetare, mungonte vetëm zifti.
Kjo është një situata që ka qenë gjithmonë. Kjo parti do vinte vetvetiu në këtë krizë. Zotëria që është në krye të partisë nuk ka fituar asnjë fjalë. Me këto figura politike PD nuk ka të ardhme. Sot opinioni publik që ka parë kët pamje brenda një partie, është shokuar.
Kam duruar kaq kohë, por kjo e sotmja duhet të bëjë çdo demokratë të thotë të vërtetën. PD s’duhet të vinte në këtë gjendje. Këtu nuk dalin dot të dy nga faji i tyre, të dy po luftojnë për pushtetin e tyre. Shikoj zotërinë aktual, se nuk e quaj as dot kryetar, është jashtë çdo lloj sfere. Nuk e kuptoj se çfarë bën më ai në PD”, tha Alizoti në Abc.
Ai u shpreh se duhet të mblidhet Grupi Parlamentar i PD-së, ku deputetët të thonë çfarë ndiejnë, pasi opozita është në ditën e saj më të keqe. Sipas tij, sot ka humbur PD, teksa shtoi se PD sot ka filluar vetëasgjësimin dhe kjo do të zgjasë derisa palët të gjejnë një zgjidhje.
“PD në këtë situatë nuk ka të ardhme. Grupi Parlamentar duhet të mblidhet, ata deputetë duhet të thonë çfarë ndjejnë. Duhet t’i thonë zotit Berisha dhe zotit Basha që të krijojnë një kusht që PD të prodhojë diçka të re. Asnjë prej tyre nuk prodhon diçka të re. Ky akt e fundosi përfundimisht Bashën. Sot kam parë aty njerëz që i njoh nga Berati.
Kriza duhet të diskutohej në seli. Ne nuk kemi diskutuar, unë e thashë këtë gjë në seli dhe u mërzitën të gjithë. Prandaj janë negiociatat. Sot humbi PD-ja, nuk më intereson fare kush humbi dhe kush fitoi. Unë them çfarë ndjej. Opozita e shqiptarëve është në ditën e keqe më të madh. Ne nuk presim dot të rritet politikisht zoti Basha. Ne duam që ai të ulet me zotin Berisha dhe të hartojnë plane si zgjidhet kjo. Nëse nuk ulen në një tryezë, PD do vetëasgjësohet. Sot filloi vetëasgjësimi i saj. Sot duhet arsye, që demokratët të mblidhen, pasi PD është pronë e votuesve të saj. Atë që e votuan 600 mijë, sot do e votojnë vetëm 100 mijë. Unë nuk do doja kurrë të isha kryetar i asaj partie që vjen policia e Edi Ramës”, tha Alizoti.





