Pjesë e ndryshimeve në Policinë e Shtetit përveç 29 emrave që erdhën zyrtarisht, dhe Drejtorit të Policisë Shkencore që ndodhi një ditë më vonë, është edhe Drejtori i Kufirit në Portin e Durrësit Boge Budini, raporton “BalkanWeb”.

Ai është shkarkuar nga detyra dhe në vend të tij është komanduar Lindita Nushi.

Duke iu referuar policisë, edhe lëvizja e tij vjen në funksion të nevojës për të përmbushur sa më mirë prioritetet si dhe për të përmirësuar më tej punën e strukturave vendore të Policisë, në reflektim edhe të arritjeve dhe problematikave të konstatuara gjatë vitit 2016 dhe tremujorit të parë këtij viti.

Shkarkimi ka lidhje edhe me ngarkesën e madhe të drogës që u lejua të kalonte përmes portit të Durrësit, plot 10 tonë kanabis në dy episode të ndryshme në shkurt dhe mars 2017 përmes pikave kufitare dhe që me pas u kap në shtetin fqinj të Italisë që çoi në “shkrirjen” e stacionit të policisë në portin e Durrësit.

Kujtojmë se në pranga ranë efektivë të policisë së portit të Durrësit si dhe doganierë të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës. Së bashku me 4 arrestimet e mëhershme në Qafë Thanë numri total i të arrestuarve ka shkuar në 18. Mes të arrestuarve është dhe Shefi i Stacionit policor të Portit të Durrësit.