Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian “nuk është e pashmangshme”, njerëzit mund ta ndalojnë atë. Thirrja vjen nga ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, i cili tha se misioni i tij është të bindë qytetarët të ngrihen e të ndryshojnë mendje rreth Brexit.
“Po, populli britanik votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian dhe unë jam dakord që vullneti i popullit është para gjithçkaje. Por populli votoi pa i njohur rregullat dhe kushtet e Brexit. Kur ato të bëhen të qarta, është e drejta e popullit të ndryshojë mendje.” tha Bler.
Bler akuzoi politikanët mbështetës të Brexit se kanë përçarë vendin. I menjëhershëm ishte reagimi i disa prej tyre. Ish-lideri i UKIP, eurodeputetit Najxhëll Farazh, tha se Bler është një njeri i të djeshmes. Ndërsa ministri i Jashtëm, Boris Johnson u bëri thirrje britanikëve të ngrihen e të fikin televizorin herën tjetër që do të shfaqet Bler.
Javën e kaluar Parlamenti britanik mbështeti kryeministren May të nisë negociatat për shkëputjen e Britanisë, siç e parashikon neni 50 i Traktatit të Lisbonës.