Media kombëtare Top Channel ka mbyllur emisionin Top Story, pasi sipas tyre kanë gjetur shkelje të kontratës së punës dhe në cenim të imazhit të televizionit.
Top Channel thotë se drejtuesit kanë përdorur emisionin, si mjet gjobash dhe kërcënimesh, duke keqpërdorur edhe donacione të huaja.
Gjithashtu, media njofton se emisioni investigativ, nuk do të mbyllet, por do të vazhdojë me emër të ri dhe staf të ri.
Nga ana tjetër, ish-autori i Top Story, Endrit Habilaj ka bërë një reagim në “Facebook”, ku e ka cilësuar lajmin e bërë nga Top Channel si të turpshëm dhe që nuk i bën nder askujt.
Habilaj shkon deri aty sa shtron pyetjet nëse është pronarja e medias, Vjollca Hoxha dhe gazetari Sokol Balla, ata që vendosin gjoba, madje edhe ndaj Samir Manes.
Më poshtë janë reagimet e secilës palë:
Deklarata e Top Channel
Pak kohë më parë, redaktori i emisionit investigativ, Top Story dhe disa elemente të tjerë, u është ndërprerë marrëdhënia e punës, për shkak se janë gjetur në shkelje të kontratës së punës dhe në cenim të imazhit të televizionit.
Ekipi ligjor i Top Channel është duke përgatitur dosjen përkatëse, për t’jua përcjellë autoriteteve, për të nxjerrë përgjegjësitë ligjore dhe dëmin që i është shkaktuar kompanisë nga këta individë, të cilët kanë përdorur profesionin dhe emisionin, si mjet gjobash dhe kërcënimesh, duke keqpërdorur edhe donacione të huaja.
Sot, këta individë ose më saktë njëri prej tyre, Endrit Habilaj, i cili ka akses në faqen e emisionit në Facebook, ka lëshuar një tjetër shpifje në drejtim të Top Channel.
Se mbrëmë është hequr një emision i tyri. Në fakt është hequr një material i cili ashtu si dy tre javët e fundit, ishte lënë për t’u transmetuar në mirëbesim dhe jashtë kontrollit editorial të Top Channel.
Por kur bordi shqyrtoi materialet dhe vuri re shkeljet e rënda etike dhe profesionale, mori vendimin e mos transmetimit të kësaj gjobe, vënë në emër të dy personave që dikur punonin në Top Channel, dhe jo në interes të së vërtetës. Emisioni nuk është mbyllur. Top Story si emër nuk ka lindur në vitin 2018, atëherë kur u mor dhe u transformua ashtu siç është sot. Top Story ka lindur në tetor të vitit 2006 dhe për 11 sezone ishte emisioni më i suksesshëm politik në ekran.
Javën e ardhshme Top Story do rikthehet aty ku i takon, në “prime time” në orën 21:00.
Emisioni investigativ që mbajti këtë emër për tre vjet, nuk do të mbyllet. Ai do të vazhdojë që javën tjetër. Me emër të ri, me drejtim të ri.
Reagimi i Endrit Habilajt:
Një sqarim për publikun!Ky shkrim është i turpshëm dhe që nuk i bën nder jo Top Channel, por askujt.Tani le të marrim me radhë disa fakte:
– E para, unë kam dhënë dorëheqjen në 28 shkurt 2022. Nga ajo ditë, nuk kam patur fare akses për emisionin Top Story.
– E dyta, emisioni “Oligarkët e Rilindjes Urbane”, është realizuar nga Esmeralda Keta, fituese e dy çmimeve të BE. Tema është realizuar fare pa ndërhyrjen time. Dhe kjo mund të provohet lehtësisht duke kontaktuar Esmeraldën. Emisioni është anulluar dje, në 30 Mars 2022.
– E treta, emisioni i Rilindjes Urbane, ishte raportuar tek Bashkimi Europian, një projekt që e fitoi nëpërmjet aplikimit tim dhe FES. Unë sot e kësaj dite, këtë temë nuk e kam parë.
– E katërta, një pyetje për Vjollca Hoxhën, a ke vënë gjobë ti ndaj Samir Manes, duke anulluar emisionin “Kadastra e Vlorës”?!
– E pesta, një pyetje për Sokol Ballën, a po i vë gjobë fabrikave të prodhimit të vezëve dhe çfarë gjobash i ke premtuar Vjollca Hoxhës, me ardhjen në Top Channel.
– E gjashta, zonja Hoxha, përse po i bie Kadastrës përditë, a ke kërkuar legalizimin e objektit Folie tek pedonalja dhe më pas ndërtimin e një kulle aty?
– E shtata, faqja e facebook, është krijuar nga ekipi i Top Story dhe me ardhjen e Sokol Ballës kjo faqe u kërkua ti kalohej atij. I sugjerojë të ngrejë një faqe vet, siç ka ngritur shumë gjëra.
– E teta, ekipi i Top Story, nuk është njoftuar për ndërrimin e emrit dhe që emisioni politik i Sokol Ballës do të merrte këtë emër.
– E nënta, thirrje për kolegët, ky është TOP CHANNEL!
Njoftimi i Top Story:
Me keqardhje njoftojmë publikun, se emisionit investigativ #TopStory, i duhet të ndërpresë transmetimin në televizionin kombëtar Top Channel.
Ditën e djeshme, e mërkurë 30 mars 2022, në mënyrë të pashpjegueshme, është njoftuar stafi për anulimin e emisionit me temë “Oligarkët e Rilindjes Urbane”, edhe pse promo kishte tre ditë që ishte transmetuar në Top Channel.
Ky #investigim nxirrte në pah problemet, abuzimet dhe korrupsionin në ndërtimin e qendrave të qyteteve në 8 vitet e fundit.
Në fakt prej disa muajsh, stafi i Top Story është ndjerë nën presion nga drejtuesit, duke nisur që në mënyrën e trajtimit të temave, largimin nga detyra të autorit të emisionit, ndërhyrjet në linjën editoriale, e deri në censurimin e emrit të emisionit.
Duhet theksuar se Top Story është vlerësuar me 4 #çmime ndërkombëtare, dy prej të cilëve nga Bashkimi Europian dhe dy të tjerë nga OSBE.
Top Story nisi transmetimin në 19 Shtator 2018, me një ekip gazetarësh profesionistë, të cilët e tejkalonin informacionin bazë të raportimit.
Ky ekip ka realizuar mbi 100 #dokumentarë duke denoncuar afera të të gjitha llojeve nga konçesionet, kompanitë e mëdha, oligarkë, e deri në nivele zyrtarësh të lartë politikë apo drejtësie që cenojnë interesin publik.
Prej 12 muajsh, Top Story gjithashtu kishte fituar një grant mbështetës nga #BashkimiEuropian, me vlerë 165 mijë euro, për të mbështetur pavarësinë editorial të këtij emisioni investigativ. Edhe programi i patransmetuar ditën e djeshme “Oligarkët e Rilindjes Urbane”, ishte pjesë e financimit te Bashkimit Europian.
E sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, sëfundmi Top Story do t’i hiqej edhe emri i programit, për shkak se do ti jepej një emisioni politik, i diskutueshëm për pozicionimin pro qeverisë.
Në respekt të publikut, stafi i Top Story ju njofton se do të transmetojë të gjitha temat e papublikuara ose të censuruara, në një kanal tjetër komunikimi.
Shihemi së shpejti,
Stafi i Top Story!