TIRANË, 21 mars 2013- Mbështetja e palëkundur e Britanisë së Madhe drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, forcimi i marrëdhënieve miqësore, fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, nxitja e vizitave zyrtare në të gjitha nivelet institucionale etj, ishin temat kryesore që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Baronesha D’Souza diskutuan në takimin e tyre miqësor. 

Baronesha D’Souza dhe Kryetarja Topalli ndanë dëshirën për të punuar së bashku dhe se të dyja ato, mund të bëjnë hapa konkretë që forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit jo vetëm midis dy parlamenteve, por edhe më tej. 

Në mënyrë të veçantë, znj.Topalli dhe Baronesha D’Souza u ndalën gjatë bisedës së tyre në procesin e integrimit europian, ku u vlerësua se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian. 

Kryetarja e Kuvendit falenderoi Baroneshën D’Souza për qendrimin e saj pozitiv ndaj zgjerimit të BE, ndërsa kërkoi mbështetjen e saj për Shqipërinë në procesin e rëndësishëm të marrjes së statusit të vendit kandidat si dhe vijimin e hapave të tjerë drejt anëtarësimit. 

Kryetarja e Kuvendit e njohu Baroneshën D’Souza me zhvillimet në Shqipëri, arritjet dhe sfidat e Parlamentit, duke u shprehur se integrimi dhe ekonomia janë dy shtyllat kryesore të axhendës parlamentare. 

Duke u ndalur tek situata ekonomike, Kryetarja Jozefina Topalli vlerësoi se falë reformave të suksesshme Shqipëria finalizoi projekte ambicioze të gjithanëshme, nuk ra recesion dhe sfidoi krizën globale duke shënuar rritje të përvitshme ekonomike. Këto reforma u përshëndetën si të suksesshme e të guximshme nga Baronesha D’Souza. 

Edhe situata në rajon ishte një ndër temat që u diskutua gjatë bisedës, ku u vlerësua roli i Shqipërisë si faktor paqeje. Kryetarja e Kuvendit dhe Baronesha D’Souza vlerësuan se pavarësia e Kosovës është një e kthesë e rëndësishme në historinë e prosperitetit dhe stabilitetit të mbarë rajonit. 

Këtij takimi miqësor i është bashkuar edhe ish- Kryetarja e e Dhomës së Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar, Helene Hayman, e cila gjatë mandatit të saj në krye të Dhomës së Lordëve vizitoi Shqipërinë dhe mbajti edhe një fjalim në parlamentin shqiptar. Në bisedën mes tre mikeve, Baronesha Hayman tha se Britania e Madhe, vend me demokraci shumë të vjetër, sheh me admirim shumë të madh vende të tilla me demokraci të reja si Shqipëria, e cila, në një periudhë kaq të shkurtër ka bërë kaq shumë progres. Kryetarja e Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe, Baronesha D'Souza, do të vijë në gusht për një vizitë zyrtare në Tiranë, pas ftesës së bërë nga Kryetarja Jozefina Topalli. 

Gjatë vizitës së saj në Londër, Kryetarja e Kuvendit mori pjesë në një prej seancave më të rëndësishme të parlamentit britanik, seancë ku Qeveria e Kryeministrit Cameron paraqiti buxhetin e vitit 2013. Jozefina Topalli ndoqi nga afër punimet e kësaj seance ku Kryeministri i Britanisë së Madhe, Cameron iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve britanikë mbi ecurinë e reformave të aplikuara nga qeveria e tij, ecurisë ekonomike dhe politikave strategjike britanike.