SOFJE– “Përgjigjen për integrimin opozitës do ia japin shqiptarët më 23 qershor”. Me këto fjalë i është drejtuar Parlamentit të Bullgarisë kryeparlamentarja Jozefina Topalli. 

Topalli gjatë fjalës së saj duke folur për marrëdhëniet dy paleshe si dhe sfidat e përgjegjësitë që i dalin para vendit tonë, u shpreh e bindur se statusi kandidat i Shqipërisë do të zgjidhet pas zgjedhjeve të qershorit duke akuzuar opozitën për bllokimin e votimit të tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli. 

“Ne nuk e morëm statusin e vendit kandidat, sepse kusht ishin tre ligjet që opozita nuk i votoi se mendon se kjo do të shkojë si kredit për qeverinë. Ky është problem i brendshëm yni që do të zgjidhet nga zgjedhjet e ardhshme nga shqiptarët. Integrimi është objektivi ynë kombëtar dhe falenderojmë forcat politike në Bullgari që na kanë mbështetur”,- theksoi Topalli. 

Në fjalën e saj drejtuar parlamentarëve bullgarë, Topalli ka folur për të gjitha zhvillimet, arritjet dhe sfidat e Shqipërisë në këto 20 vite. 

“Vite më parë ne mbyteshim nga taksat e larta, ne përgjysmuam taksat pastaj vumë taksën e sheshtë dhe dyfishuam të ardhurat, kjo na lejoi të rrisim rrogat. Ne jemi vend tërheqës për t’u vizituar. Kemi papunësi, por nuk kemi pasur rritje të saj, kemi realizuar rritje të konkurueshmërisë. Nuk ramë në krizë ndryshe nga vendet që na rrethojnë”,- deklaroi Topalli

 

 

SHQIPËRIA DHE BULLGARIA BASHKËPUNIM PËR PROJEKTET NË INFRASTRUKTURË

Për Shqipërinë dhe Bullgarinë ka një rëndësi të madhe realizimi i projektit të Korridorit 8-të dhe i një rrjeti infrastrukturor që do të nxiste një epokë zhvillimi për gjithë Ballkanin. 
Këtë mendim ndanë gjatë takimit mes tyre në Sofje kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetarja e parlamentit bullgar, Cecka Caceva. 

Gjatë vizitës së saj në Bullgari, kryetarja Topalli u prit nga homologia bullgare, e cila konfirmoi mbështetjen e vendit të saj për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. 
"Në çdo takim me faktorë të rëndësishëm të politikës së BE-së, tha znj. Caceva, kam lobuar për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, u takova në Dublin me Ministrin e jashtëm të Irlandës, vend që mban presidencën e BE-së dhe i fola për progresin e bërë nga Shqipëria. Uroj që anëtarësimi i Shqipërisë në familjen europiane të jetë sa më i afërt", u shpreh Caceva. 

Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit tha se "Shqipëria është një vend që bën përjashtim, pasi brenda një kohe të shkurtër ka ecur shumë gjatë duke kthyer faqen e historisë së saj. Sot është një vend anëtar i NATO-s dhe jemi në pritje të marrjes së statusit kandidat. Ne jemi të gatshëm të realizojmë gjithçka për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve. Presim që opozita të votojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli, në mënyrë që të kalojmë sa më parë në hapjen e negociatave për anëtarësim". 

Gjatë takimit, dy kryeparlamentaret biseduan dhe për një bashkëpunim konkret për të përfituar projekte madhore infrastrukturore përmes fondeve të BE-së. Për Shqipërinë e Bullgarinë, por dhe për zhvillimin e mbarë rajonit ka një rëndësi të madhe realizimi i korridorit 8. Një rrjet rajonal infrastrukturor do të nxiste një epokë të re zhvillimi për gjithë Ballkanin.