FRANCE, 7 prill 2013 – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, së bashku me liderë botërorë me influencë politike dhe mbi 40 krerë të parlamenteve u mblodhën në Marsejë të Francës në një Samit të nivelit të lartë të Kryetarëve të parlamenteve të Bashkimit për Mesdheun.
Ky është Samiti i parë i këtyre përmasave, i cili organizohet nga Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Europian dhe Fondacioni Anna Lindh, ku marrin pjesë edhe Komisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil Elaraby, Presidenti Fonacionit Euromesdhetar për dialog, André Azoulay, etj.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe pjesëmarrësit në këtë Samit diskutuan dhe vendosën për nxitje të zbatimit të projekteve të përbashkëta në këtë kohë sfidash për politikën dhe ekonominë globale.
Ata diskutuan për gjetjen e zgjidhjeve për t’i dhënë shtysë projekteve në infrastrukturë, energji, punësim dhe për bashkëpunim edhe më të fortë ekonomik mes vendeve të Mesdheut.
Në deklaratën e tyre ata theksuan se 2013-a duhet të jetë viti i realizimit konkret të këtyre projekteve, në këtë kohë plot sfida ekonomike për t'iu përgjigjur interesave të përbashkëta me veprime të përbashkëta në të dy anët e Mesdheut.
Në fjalën e saj në Samit, Kryetarja e Kuvendit prezantoi ecurinë pozitive ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht se e rrethuar nga vende me krizë financiare. Ajo tha se në një kohë kaq të vështirë ekonomike në botë, çështje e cila diskutohet edhe në këtë samit, Shqipëria jo vetëm nuk ra në recesion, por është cilësuar një model suksesi për ekonomi të tjera.
Gjate punimeve te samitit kryeparlamentarja Jozefina Topalli u takua me Presidentin e Parlamentit Europian Martin Shulz, Kryetarin e Parlamentit të Gjermanisë, Lammert, Kryetarin e Asamblese se Francës, Kryetaren e Parlamentit të Austrisë, Kryetarin e Parlamentit të Belgjikës, etj. Kryetari i Asamblesë se Francës, duke iu përgjigjur ftesës së Kryetares së Kuvendit, tha se do të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit kërkoi mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së për integrimin e Shqipërisë në familjen ku meriton të jetë.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





