TIRANË, 16 mars 2013– Kryeparlamentarja, njëherësh edhe nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli thekson se “më 23 qershor shqiptarët do votojnë me vetëdije të thellë shoqërore, duke menduar ku ishin dhe ku janë dhe duke projektuar veten përpara. Me vetëdije të thellë shoqërore për të gjithë ata që nuk kanë bërë detyrën e tyre patriotike, për të gjithë ato që përpiqen të ngrenë mure të paqena”.
Në një intervistë televizive, Topalli nënvizon se "programi ynë preket çdo ditë nga qytetarë, axhenda e ardhshme është ambicioze, e Shqipërisë së zhvilluar dhe asaj europiane, bashkë mbajmë vulën e reformatorëve në një vend që ka bërë rrugën më të gjatë në kohën më të shkurtër, nga vendi i bunkerëve në vendin e NATO-s, vendi ku ekonomia nuk është në recesion dhe ku qytetarët me guxim të shohin para”.
Sipas saj, këtu nuk ka as kopjim programi, sikundër socialistët pretendojnë duke shtuar se “sa për pjesën e kopjimit nuk do i referohesha kopjes së dorës së kryetarit të PS-së".
Më tej, Topalli deklaron se "rezultati më spektakolar ka për të qenë në Fier”.
"Nuk mund të përdorësh Fierin si pretekst antieuropian, jo vetëm për ndryshimet, por thelbësisht për atë që synojmë të bëjmë, një Shqipëri me rroga ku e arsimtarit shkon në 700 dollarë", theksoi kryeparlamentarja.