TIRANE, 17 prill 2013 – “Askush nuk mund të kërcënojë menaxhimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.” Kështu është shprehur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë një takimi me raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në Shqipëri në një vizitë të programuar prej kohësh.
Kryetarja e Kuvendit i njohu raporterët me situatën në vend dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Ajo theksoi se shteti ligjor është themelor dhe gjithçka do të bëhet në respekt të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.
"Ligji dhe Kodi Zgjedhor është i qartë, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Ky kod është votuar me konsensus të gjerë dhe do të respektohet dhe zbatohet në frymë e në gërmë. Ne nuk do të lejojmë askënd të shkruajë rezultatin në tavolinë. Humbësi duhet të njohë rezultatin",- tha kryetarja e Kuvendit.
Kryeparlamentarja Topalli i siguroi raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për vullnetin dhe angazhimin maksimal të institucioneve shtetërore për një proces zgjedhor të standardeve më të larta europiane dhe ndërkombëtare.
Kryetarja e Kuvendit u është drejtuar Asamblesë së OSBE-së, Asamblesë së Parlamentit Europian dhe Asamblesë së Këshillit të Europës për të sjellë sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme të 23 Qershorit.





