TIRANE, 6 maj 2013- Ndërsa Kuvendi i ka ndërprerë punimet për rreth 30 minuta, kryeparlamentarja Topalli jashtë ambienteve të Kuvendit i ka bërë thirrje kryesocialistit Rama të lejojë deputetët e PS që të votojnë sot 3 ligjet, që sipas Topallit mbajnë peng statusin kandidat të vendit.
“Prej gati një viti 3 ligjet janë në axhendën e Parlamentit, por janë bllokuar për më shumë se 200 ditë nga PS duke bërë të mundur bllokimin e statusit të vendit kandidat në BE. Sot jam këtu për t’i bërë ftesë zotit Rama, ato janë edhe sot në rendin e ditës, e ftoj zotin Rama të lejë deputetët e tij t’i bashkohen mazhorancës dhe të votojmë. Sot kanë një mundësi që të votojnë 3 ligjet për integrimin e vendit”, tha Topalli.
Sipas kryeparlamentares, miratimin e 3 ligjeve e presin “shqiptarët, Brukseli e kërkon jo Jozefina”.
Topalli bëri me dije se mazhoranca nëse ka konsensusin e opozitës të votojë tre ligjet ashtu siç janë në rend të ditës.





