TIRANË, 15 mars 2013 – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua sot me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, ministri Hoxhaj e informoi kryeparlamentaren për ecurinë e bisedimeve Kosovë-Serbi, mbi vizitën e Baroneshës Ashton në Kosovë, si dhe për procesin e njohjeve të reja të Pavarësisë së Kosovës.
"Kudo ku shkoj,- tha ministri Hoxhaj,- shoh gjurmët tuaja të mbështetjes që keni dhënë për Kosovën dhe ju falenderoj shumë për këtë".
Lidhur me procesin i Stabilizim Asocimit të Kosovës me BE-në, Hoxhaj tha se "shpresojmë që negociatat që pritet të nisin në qershor të përfundojnë brenda pak muajsh".
Duke uruar mbylljen sa më shpejt të negociatave të MSA-së, por dhe ecuri sa më pozitive lidhur me liberalizimin e vizave, si dhe në dialogun Kosovë-Serbi, kryetarja Topalli theksoi se "Kosova po përjeton momente historike. Në këto momente historike duhen njerëz të guximshëm dhe vendime të forta. Kosova ka treguar maturi të madhe politike dhe jam e bindur se Shqipëria e Kosova do bashkohen në familjen e përbashkët europiane".
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/