3 dhjetor 2014 –  Dëshpërimi i një zonje të rrëzuar. Kështu mund të quhen reagimet dhe lëvizjet e Jozefina Topallit, pasi Lulzim Basha i preu karrierën politike. Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, duket se po e përjeton dramatikisht vendimin e Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga kupola e re e Partisë Demokratike, si një bezdisje e panevojshme për planet e ardhshme të SHQUP-it.

 Dy ditë pasi Lulzim Basha, natyrisht me miratimin e Sali Berishës, e përjashtoi nga lidershipi i ri i PD, Jozefina Topalli ka vendosur ta shfryjë dufin mbi kryeministrin Edi Rama, duke e kërcënuar me zhdukje nga faqja e dheut. Është një apel për Sali Berishën, për pak vëmendje, ndihmë dhe mëshirë, por edhe një sinjal për Lulzim Bashën. Topalli, duke folur në emër të protestuesve të PD, tha se do ta zhdukte kryeministrin Rama pasi kishte mashtruar. Atëherë kur shumëkush priste një reagim për zhvillimet në Partinë Demokratike dhe për zgjedhjen e kupolës së re drejtuese, Jozefina Topalli, befas ka lëshuar një kërcënim për kryeministrin Edi Rama. Dihet se kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me fshesën dhe prerjen e kokave në SHQUP, por në rastin konkret po përdoret nga zonja Topalli, si një rrufepritëse.

"Zgjedhësit zgjedhin njerëz, që më pas injorojnë arsyet përse janë zgjedhur dhe pastaj nuk mund të ankohen”. Hillary Clinton. Në Shqipëri ndodh që" të zgjedhurit" të bëjnë ekzaktësisht të kundërtën e arsyeve përse janë zgjedhur. Por shqiptaret të paralajmërojnë se edhe të zhdukin po i mashtrove, siç paralajmëruan me 22 nëntor”, ka shkruar zonja Topalli, në rrjetin social Facebook.

Me sa duket, zonja Topalli po e ruan shpërthimin e drejtpërdrejtë ndaj Lulzim Bashës për një kohë tjetër, duke shpresuar se Sali Berisha, do t’ia shtrijë dorën më në fund, duke e përfshirë në listën e Bashës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërkaq, raportet mes Bashës dhe Topallit janë të ndera. Ka muaj që Topalli nuk shfaqet në selinë e re, ndërsa Basha i ka mbyllur asaj çdo derë.