ATHINE, 29 maj 2013 – Kryetarja e Kuvendit, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike Jozefina Topalli është takuar në Athinë me emigrantët shqiptarë. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kandidati për deputet i qarkut të Tiranës, Tritan Shehu. 

Nën thirrjet entuaziaste të simpatizantëve të Partisë Demokratike u prezantua edhe video-konferenca që kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha zhvilloi me ta. 

Kryetarja e Kuvendit Topalli theksoi se Kuvendi ka kaluar 941 ligje, vendime e rezoluta, reforma që kanë impakt direkt tek jeta e qytetarëve. 

“Në Parlament duhet vetëm tre sekonda për të kaluar tre ligje të cilat do ti kishin dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Pa marrjen e statusit ne nuk mund të ecim përpara për të arritur atë që është më e rëndësishme për emigrantin për njohjen e viteve të punës dhe marrjen e pensionit. Kësaj radhe ju duhet të ndihmoni përsëri për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Nëse mundeni, nëse gjeni kohën, nëse keni mundësi ejani në Shqipëri dhe votoni për vendin tuaj”. 

Ajo shtoi se në mandatin e ardhshëm Shqipëria ka projekte të reja për turizmin, bujqësinë, infrastrukturën, tuneleve e urave, në energji dhe mbi të gjitha projekti i integrimit.